Çmimi i naftës, Aliu: Ndikon për mirë në standardin jetësor

08.01.2016 16:42

Fundi i 2015-tës dhe fillimi i 2016-tës e gjeti naftën me çmimin më të ulët në 11 vitet e fundit, 33 dollarë për barel...

Kjo rënie për 3.5% të çmimit të naftës së papërpunuar shkaktoi rënie çmimesh në të gjitha bursat evropiane. OPEKU vendosi të ulë çmimet megjithëse nuk u mor asnjë vendim për zvogëlimin e nxjerrjes së arit të zi, duke shpresuar që vitet e krizës do të kalojnë shpejt.

Por, Banka Botërore nuk është optimiste se çmimi i naftës do të rritet edhe gjatë 2016-tës. Çmimi mesatar, sipas Bankës Botërore, nuk do të kalojë këtë vit kufirin prej 51 dollarësh për barel. Dhe kjo është për një dollarë më pak se çmimi mesatar i vitit që lamë pas. Çmimi i naftës këtë vit mund të ulet edhe më shumë edhe për shkak të dobësimit të ekonomisë botërore. Çmimet e ulëta janë lajm i mirë për qytetarët edhe në vendin tonë, marrë parasysh se nga çmimi i naftës lëvizin edhe çmimet e shumë produkteve të tjera, vlerëson profesori universitar, Hamit Aliu.

“Është shumë mirë që çmimet e derivateve të naftës janë në ulje e sipër si për qytetarët që ulin koston e jetesës në këtë periudhë dimri, gjithashtu edhe për biznesin dhe industrinë, do të thotë shumë, për shkak se energjetika merr pjesë në përqindje të madhe në aspektin e shpenzimeve, gjegjësisht në koston e prodhimit të produkteve. Unë uroj që gjithnjë të ketë çmime sa më të ulëta, sepse edhe standardin jetësor e kemi shumë të ulët”- deklaroi profesori universitar, Hamit Aliu.

Por, megjithëse çmimi i naftës nuk varet aspak nga Republika e Maqedonisë, Aliu thotë se është simptomatik fakti që gjithnjë në vite zgjedhore kemi luhatje drastike të çmimit të naftës dhe të produkteve të tjera të domosdoshme për jetesë që lidhen me të. Ai apelon që autoritetet të mbajnë nën kontroll çmimin e naftës edhe gjatë kohës kur ai është i lartë në bursën botërore, marrë parasysh standardin e ulët jetësor të qytetarëve të Maqedoni.

“Unë e di dhe e kuptoj që çmimi i naftës nuk varet vetëm prej RM-së, por prej bursave ndërkombëtare, por duhet gjithnjë të tentohet që shpenzimet të jenë sa më të ulëta qoftë për mirëqenien ekonomike të qytetarëve qoftë për bizneset, sepse shekulli XXI është shekulli i ekonomizimit të shpenzimeve dhe tek e fundit vetëm me shpenzime të ulëta ne mund të konkurrojmë në tregun ndërkombëtar me produktet tona. Gjithmonë jemi të prirur që t’i kemi çmimet më të ulëta në periudha zgjedhore. Dhashtë Zoti që kjo periudhë të zgjasë shumë më tepër, sepse është në interes edhe të qytetarëve edhe të biznesit. Atje ku nuk ka burime energjetike të lira, ku nuk ka derivate të lira të naftës, kjo ngarkon shumë koston e produkteve dhe shërbimeve të tjera”- tha profesori universitar, Hamit Aliu.

Por, sa do të zgjasë kjo periudhë për qytetarët e Maqedonisë nuk varet shumë nga zhvillimet në vend, por nga lëvizjet ekonomike globale. Çmimi i naftës varet drejtpërdrejt nga vlera e dollarit amerikan dhe ekspertët vlerësojnë se me këto vlera aktuale të dollarit qytetarët për kohë të shkurtër mund të ndjejnë përfitime, por nuk pritet që vendet prodhuese të lejojnë çmime të tilla të ulëta për një kohë të gjatë. (Gazmend Rexhepi, TVM2)