Ahmeti: Në Athinë pashë gatishmëri për zgjidhjen e kontestit me emrin

08.01.2016 16:58

Marrëdhëniet mes Maqedonisë dhe Greqisë, çështja e emrit si dhe integrimi i vendit në NATO dhe BE kanë qenë tema kyçe në takimin rreth një orë e gjysmë të kreut të BDI-së, Ali Ahmetit, me shefin e Diplomacisë greke, Nikos Kotzias...

Ahmeti pas takimit theksoi se zgjidhja e çështjes së emrit është shumë e rëndësishme për Maqedonisë, sepse për këtë arsye vendi nuk po mund të integrohet në NATO dhe BE.

“Ishte një takim mjaft i dobishëm dhe i rëndësishëm, me çka biseduam për marrëdhëniet mes dy vendeve tona, në veçanti u ndalëm tek çështja për të cilën ne në vazhdimësi jemi angazhuar sa i takon zgjidhjes së një kompromisi sa i takon emrit të shtetit. Me rëndësi për ne është që sa më parë një kompromis të arrihet, me qëllim që rajoni i Ballkanit Perëndimor tërësisht të anëtarësohen në NATO dhe BE”- deklaroi kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti.

Ahmeti në takim me ministrin e Jashtëm grek ka vërejtur gatishmëri  dhe vullnet për gjetjen e një kompromisi.

“Unë jam shumë i hapur dhe i  përcjell mendimet, opinionet edhe tek partneri i koalicionit, pashë një gatishmëri, pashë një vullnet të mirë nga ministri i Jashtëm i Greqisë në drejtim të zgjidhjes, në drejtim të kërkimit të kompromisit dhe këtë vullnet të mirë sigurisht që unë do e barti edhe në Shkup, që të gjitha palët të shprehin vullnetin e fortë për zgjidhjen e këtij problem”- theksoi kryetar i BDI-së, Ali Ahmeti.    

Ne kemi investuar dhe do të investojmë në të ardhmen që sa më shumë të afrohen qëndrimet, të zvogëlohen dallimet mes dy vendeve dhe të arrihet deri te një zgjidhje mbi kontestin me emrin, ndërkaq BDI do të vazhdojë të inkurajojë të gjithë aktorët për përafrim të qëndrimeve, me qëllim që popullata përfundimisht të merr përgjigje për këtë problematikë disavjeçare, thekson lideri i BDI-së, Ali Ahmeti. (Nermin Mulaki-Fejzullahu, TVM2)