Ministri i Ambientit në Zhelinë, mbështetje për ujësjellësin në disa komuna

08.01.2016 17:03

Rrjeti i ujësjellësit, që do të përfshijë Komunën e Zhelinës, Vrapçishtit, Bervenicës dhe Bogovinës, ishte tema kyçe e takimit të sotëm të ministrit të Ambientit, Nurhan Izairit, me kryetarin e Komunës së Zhelinës, Fatmir Izairin...

Në takim u bisedua edhe për shumë çështje të realizuara dhe projekte të ndryshme që do të realizohen në bashkëpunim me Ministrinë e Ekologjisë.

“Temë boshte e bisedës së sotshme ishte gjithashtu edhe rrjeti ujit, rrjeti regjional i ujit, i cili do e përfshi edhe Komunën e Zhelinës. Ky është praktikisht projekt i udhëhequr nga vetë z. Fatmir Izairi, i nisur, i përpunuar dhe me angazhimin e dy personal ka arritur deri këtu që ky projekt, që ne duhet të merremi shumë seriozisht, dhe gjithashtu ky projekt në të ardhmen besoj të zgjerohet edhe më tepër dhe të bëhet projekti regjional i Pollogut, jo vetëm regjional i katër komunave, por të përfshi edhe komuna tjera”- deklaroi ministri i Ekologjisë, Nurhan Izairi.

“Temat që më shumë i prekëm janë tema të një karakteri të them për investime në nivel rajonal edhe atë sidomos furnizimi me ujë, që jemi duke e bërë nga Sharri, që do të përfshihet Komuna e Vrapçishtit, Bogovinës, Bervenicës, Zhelinës, pasi sidomos Bervenica dhe Zhelina, derisa ato dy komuna kanë më pak probleme nga dy vendbanimet, komuna jonë me vendbanime më të mëdha, pjesa tjetër është trajtimi i mbeturinave në nivel rajonal”- tha kryetari i Komunës së Zhelinës, Fatmir Izairi.

Ministri i Ekologjisë, Nuran Izairi, premtoi se do të përkrahë me të gjitha kapacitet që ky projekt i ujësjellësit të realizohet dhe problemi me sistemin e ujërave në këto vendbanime të zgjidhet njëherë e përgjithmonë dhe të zgjerohet në të gjithë pjesën e Pollogut. Ministri i Ambientit po ashtu premtoi investime edhe në sferën e infrastrukturës dhe në ruajtjen e mjedisit. (Visar Sadiki, TVM2)