Kocijançiç: Han në Maqedoni nga mesi i janarit, do të diskutohet zbatimi i marrëveshjes politike

08.01.2016 17:22

Zëdhënësja e komisionerit për zgjerim, Maja Kocijançiç, edhe njëherë ka konfirmuar se Johanes Han pritet të vizitojë Maqedoninë në mes të muajit janar, por nuk ka saktësuar datën e vizitës...

Ajo theksoi se vizita do të publikohet kur të konfirmohen të gjitha detajet e sakta. Sipas saj, qëllimi i vizitës së komisionerit Han është implementimi i marrëveshjes politike të muajit qershor dhe korrik të vitit të kaluar për shkak se, siç theksoi ajo, kjo është jashtëzakonisht e rëndësishme për Maqedoninë.

“Nuk ka asnjë ndryshim kur bëhet fjalë për synimin e komisionerit Han që të vizitojë Maqedoninë. Ne presim që vizita të realizohet në mes të muajit janar. Pasi që të konfirmohen të gjitha detajet do të njoftojmë publikisht për vizitën. Siç e dini, qëllimi është që të  diskutohet për implementimin e Marrëveshjes politike të Përzhinës, sepse është jashtëzakonisht e rëndësishme për vendin”- deklaroi zëdhënësja e komisionerit për zgjerim Johanes Han, Maja Kocijançiç.

Për të analizuar se si po implementohet marrëveshja politike e arritur mes katër partive më të mëdha në vend, javën që vjen Maqedoninë fillimisht do ta vizitojnë eurodeputetët, Ivo Vajgël, Riçard Hovit, Eduard Kukan, e më pas komisioneri Johanes Han.

Pritet të shihet nëse mesi i janarit, kur pritet të vijë Han, do të jetë 15 janari, dita kur duhet të zgjidhet qeveria teknike në krye me një kryeministër të ri, që ka për detyrë realizimin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 24 prillit. (Sanije Kasami, TVM2)