Kuvend, pezullohet formimi i komisionit të dytë anketues
Komisioni për Çështje të Zgjedhjeve dhe Emërimeve e pezulloi për tre ditë formimin e Komisionit Anketues për skandalin me falsifikimin e letërnjoftimeve...

Diskutimi për formimin e këtij komisioni dhe zgjedhja e anëtarëve që duhej të ndodhte sot u shty për të ditën e hënë, pasi palët nuk kishin propozuar kandidatë për anëtarë të këtij trupi.
Deputetët e LSDM-së paralajmëruan se do ta bojkotojnë këtë komision, pasi, sipas tyre, me nismën për formimin e këtij komisioni shumica parlamentare dëshiron që të formojë një anti-komision të Komisionit Anketues për skandalin me përgjimet.
“Ne nuk do të marrim pjesë në një komision të tillë. Pajtohem se skandali me letërnjoftimet do të jetë një skandal i madh dhe do mësohet se sa funksionarë të VMRO-DPMNE-së janë përfshirë në të”- deklaroi Goran Sugarevski nga LSDM.
Por, deputetët e VMRO-DPMNE-së pretendojnë se në skandal janë përfshirë zyrtarë të LSDM-së. Ilija Dimovski tha se është në interes të qytetarëve që të kuptojnë se kush ka vjedhë identitetet e 120 mijë qytetarëve dhe ka falsifikuar letërnjoftime dhe pasaporta.
“Dhe, sipas jush kjo nuk duhet të hetohet? Përse nuk doni që Kuvendi ta hetojë këtë rast? Pasi dëshironi që të fshiheni, që të mos tregoni se sa funksionarë të LSDM-së janë përfshirë në këtë rast?”- theksoi Ilija Dimovski nga VMRO-DPMNE.
Propozim-vendimin për formimin e një komisioni anketues për skandalin me falsifikimin e letërnjoftimeve e kanë mbështetur edhe dy partitë shqiptare parlamentare. Sipas Dimovskit, ata veç më i kanë propozuar anëtarët e tyre. Mbetet e paqartë nëse komisioni do të themelohet përkundër bojkotit të paralajmëruar të LSDM-së dhe kush do të udhëheq me këtë trup. (Shpëtim Nuredini, TVM2)
