Pasardhësi i Gruevskit, analistët: Figurë e pastër, t’i kontribuojë procesit
Përderisa kryeministrit, Nikolla Gruevski, i numërohen ditët e qeverisjes, analistët politik dalin me parashikimet e tyre për pasardhësin e tij...

Akademiku, Abdylmenaf Bexheti, dhe njohësi i zhvillimeve politike, Selim Ibrahimi, thonë se kryeministri i përkohshëm duhet të jetë figurë e pastër, që duhet t’i kontribuojë procesit. Bexheti thotë se udhëheqësi i qeverisë teknike, madje, duhet të jetë figurë jo shumë e eksponuar dhe që s’është i përfshirë në aferën e përgjimeve.
“E para është që të jetë një figurë jo shumë e eksponuar politike deri më tani. Një figurë e cila do të kishte pasur më shumë një tolerancë, një mirëkuptim së paku të reflektimit në afat të shkurtër për këtë periudhë, që mos të tensionohet ambienti edhe ashtu i tensionuar ndërpolitik në Maqedoni. Unë realisht nuk pres të identifikohet dhe të propozohet një figurë e tillë. Me siguri ajo do të jetë një nga figurat të cilat së paku kanë qenë jo të eksponuara në procesin e përgjimeve të deritanishme”- deklaroi analisti, Abdylmenaf Bexheti.
Ndërkohë që Selim Ibrahimi parashikon se kryeministri i qeverisë teknike do të vijë pas konsultave të VMRO-DPMNE–së me LSDM-në dhe BDI-në. Këtu nuk do të mungojë as ndërhyrja ndërkombëtare, thotë Ibahimi.
“Në parim mund të jetë figurë akademike, qoftë edhe politike, por edhe të jetë një figurë e pastër që do t’i shërbente unitetit dhe zgjedhjeve të parakohshme , të drejta dhe të lira. Mund të jetë një figurë e cila do ta propozojë vetë Bashkësia Ndërkombëtare, Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës”- tha analisti, Selim Ibraimi.
Marrëveshja e Përzhinës parashikon zgjedhjen e kryeministrit të përkohshëm me propozim të VMRO–DPMNE-së pas dorëheqjes së kryeministrit Gruevski. Deri më tani janë përfolur shumë emra, në mesin e tyre edhe zëvendëskryeministri për eurointegrime, Fatmir Besimi, ish ministri i Punëve të Jashtme, Zoran Jolevski, dhe ministri aktual në këtë dikaster, Nikolla Popovski. (Meral Ismaili, TVM2)
