Madaya, vendi ku njerëzit vdesin nga uria

08.01.2016 19:34

Lufta disavjeçare në Siri ka shkaktuar miliona refugjatë, por ata që nuk kanë arritur të ikin, siç janë banorët e vendbanimit Madaya, rreth 25 kilometra në veriperëndim të Damaskut, po vuajnë nga uria...

Madje, disa banorë për mediat ndërkombëtare kanë thënë se nuk po mund të gjejnë më as mace dhe as qen për të ngrënë, duke alarmuar kështu katastrofë humanitare.

Rrjeti “Al Jazeera” ka intervistuar në një familje në qytetin sirian, Madaya, të cilët nga uria janë dobësuar dhe gjenden në gjendje të rëndë shëndetësore. I intervistuari Rrahman thotë se ka pak shpresa që ai dhe familja e tij mund të mbeten gjallë. Njerëzit përdorin materiale plastike nëpër rrugë për t’u ngrohur për shkak të të ftohtit që ka mbërthyer vendin.

Observatori sirian për të Drejtat e Njeriut ka deklaruar se të paktën 23 njerëz, përfshirë fëmijë, kishin humbur jetën në këtë qytet pas rrethimit nga forcat e Asadit, të mbështetura nga luftëtarët libanezë të Hezbollahut. Po ashtu, të paktën 300 fëmijë në Madaya janë duke vuajtur nga kequshqyerja, tha grupi me bazë në Mbretërinë e Bashkuar. Aktivistët lokalë thanë se rreth 40,000 njerëz në Madaya kanë pak qasje në ushqim dhe ilaçe. Grupe mjekësore kanë thënë se njerëzit “hanin bar për të mbetur gjallë”.

Ndërkohë, Bashkimi Evropian ka mirëpritur vendimin e Qeverisë siriane për të lejuar ndihmat humanitare në fshatin e rrethuar, Madaya, pas raporteve se njerëzit atje janë duke vdekur nga uria. Përmes një deklarate, BE-ja po ashtu ka bërë thirrje për ndalimin e të gjitha sulmeve ndaj civilëve në konfliktin sirian, përpara bisedimeve për paqe, që priten më 25 janar. Kombet e Bashkuara kanë bërë të ditur se ndihma humanitare do të nisë të hyjë në Madaya dhe në dy lokacione të tjera të rrethuara në “ditët e ardhshme”.

Madaya, e cila ndodhet pranë kufirit me Libanin, është nën rrethimin e forcave qeveritare që në fillim të muajit korrik. Dy lokacionet e tjera janë fshatrat shiite, Foua dhe Kfarja, në veri të provincës Idlib, të cilat janë rrethuar nga luftëtarët antiqeveritarë. Rreth 4.5 milionë njerëz në Siri jetojnë në zona vështirë të arritshme, përfshirë afro 400,000 në 15 zona të rrethuara. (Rejhan Bushi-Metaj, TVM2)