Turqia vendos kufizime për hyrje të sirianëve, në kufirin Greqi-Maqedoni policë nga vende të BE-së

08.01.2016 19:44

Qeveria turke ka vendosur kufizime për sirianët, të cilët hyjnë në Turqi nga ajri apo nga deti, me qëllim që të kufizohet fluksi i emigrantëve nga Siria...

Ministria e Jashtme turke theksoi se rregullat e reja kanë për qëllim që ta zvogëlojnë numrin e sirianëve, të cilët arrijnë në mënyrë indirekte nga vendet e treta, si Libani apo Egjipti. Shumë refugjatë tentojnë të hyjnë në Turqi nga këto vende, që të vazhdojnë pastaj drejt BE-së.

Komisari i lartë i KB-së për refugjatë njoftoi se 800.000 persona e kanë kaluar Detin Egje nga Turqia drejt Greqisë në vitin 2015, prej të cilëve pjesa më e madhe kanë qenë sirianë.

Nga ana tjetër, autoritetet greke kanë thënë se është e mundur që dhjetëra mijë emigrantë të mbesin të bllokuar në Greqi për shkak të komplikimit të procedurave në kufirin me Maqedoninë. Këtë rrezik e paralajmëroi ministri grek i Politikës Migruese, Janis Muzalis, i cili në intervistë për televizionin lokal “Skaj” nuk e përjashtoi mundësinë që në fund kufijtë të mbyllen për të gjithë. Sipas ministrit grek, për momentin 50 për qind e personave, të cilët në Greqi hyjnë nga bregu turk, janë emigrantë, ndërsa deri para dy muajve ky raport ishte 80 për qind refugjatë dhe 20 për qind emigrantë. Ai tha se është parashikuar që në të ardhmen emigrantët ilegalë, të cilët nuk do të kërkojnë azil, të riatdhesohen.

Gazeta "Etnos" sot shkruan se policët hungarezë prej mbrëmë kanë filluar të punojnë në kufirin e Maqedonisë me Greqinë dhe se kontrollet kufitare të emigrantëve atje janë ende më të ashpra. Gjatë ditëve në vijim pritet që për ruajtje të kufirit me Maqedoninë të dërgohen edhe policë çekë dhe sllovakë, e gjithashtu edhe forca policore nga Austria dhe Polonia, shkruan gazeta "Etnos". (Ersan Pajaziti, TVM2)