Maqedoni
Vajgëll, Hovit dhe Kukan nesër në Shkup për të parë nga afër ecurinë e Marrëveshjes së Përzhinës
10.01.2016 15:30
Eurodeputetët Ivo Vajgël, Eduard Kukan dhe Riçard Hovit gjatë ditës së nesërme do të qëndrojnë në Shkup për të parë për së afërmi ecurinë e zbatimit të Marrëveshjes së Përzhinës...

Eurodeputetët Ivo Vajgël, Eduard Kukan dhe Riçard Hovit gjatë ditës së nesërme do të qëndrojnë në Shkup për të parë për së afërmi ecurinë e zbatimit të Marrëveshjes së Përzhinës, të cilët njëkohësisht do të përgatisin terrenin para se eurokomesari për zgjerim Johanes Hahn t’i vizitojë zyrtarët e Maqedonisë.
Vajgël, Kukan dhe Hovit gjatë qëndrimit në Shkup pritet të zhvillojnë një sërë takimesh mes të cilëve edhe prokuroren speciale Katica Janeva dhe përbërjen e re të KSHZ-së, ndërsa nuk do takohen me kryeministrin Nikolla Gruevski, për shkak të vizitës së tij në SHBA.
Nga Komisioni Evropjan për agjensinë e lajmeve MIA kanë konfirmuar ardhjen e eurokomesarit Hahn, duke mos precizuar datë të saktë ndërkaq kanë bërë të ditur se qëllimi i vizitës së eurokomesarit Hahn është që të shohë terrenin se deri ku ka arritur implementimi i Marrëveshjes së Përzxhinës si dhe reformat urgjente prioritare të kërkuara nga Komisioni Evropjan.
"Siguroj se eurokomesari Hahn do t’a vizitojë Shkupin në janar, por nuk kam datë. Arsyeja është që t’a vlerësojë progresin e implementimit të pikave nga Marrëveshja e Përzhinës", ka deklaruar zëdhënësja e Komisionit Evropjan, Ketrin Rej.
Vizita e eurodeputetëve Vajgël, Kukan dhe Hovit besohet të ndikojë në përshpejtimin e zbatimit të pikave të mbetura të marrëveshjes politike të Përzhinës, me theks të veçantë kategorinë në fushën e mediave ku bën pjesë, ligji për media, taksa radiodifuzive, reklamimi qeveritar, RTVM-ja dhe këshillat mediatik.
NERMIN MILAKI-FEJZULLAHU
