Botë
Mustafa injoron thirrjet për dorëheqje, thotë se do të jetë kryeministër deri në vitin 2018
11.01.2016 16:18
Pavarësisht protestave antiqeveritare në Prishtinë dhe thirrjeve të opozitës për dorëheqjen e dyshes Mustafa-Thaçi...

Pavarësisht protestave antiqeveritare në Prishtinë dhe thirrjeve të opozitës për dorëheqjen e dyshes Mustafa-Thaçi, për shkak të shkeljes së kushtetutës së Kosovës, qeveria në Prishtinë shprehet e vendosur të mos tërhiqet. Kryeministri, Isa Mustafa, ka thënë shkurt se qeveria që drejton ai do të vazhdojë me punë deri në fund të mandatit, në vitin 2018.
“Qeveria do të vazhdojë të punojë deri në vitin 2018”- deklaroi kryeministër i Kosovës, Isa Mustafa.
Por, derisa Mustafa këmbëngul të mos tërhiqet, opozita, nga ana tjetër, ka paralajmëruar se nuk do të ndalet deri në dorëheqjen e qeverisë, duke mos pranuar asnjë zgjidhje tjetër. Oferta e kryeministrit, Isa Mustafa, është një komision i përzier për demarkacionin me Malin e Zi, si dhe përfshirja e opozitës në përpilimin e statutit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Por kjo, pas vendimit të gjykatës Kushtetuese të Kosovës, se marrëveshja për asociacionin kishte elemente antikushtetuese, por edhe përkrahja e madhe e protestave antiqeveritare nga qytetarët duket se e kanë motivuar edhe më shumë treshen e liderëve opozitarë, Haradinaj, Limaj dhe Zmeri, që të insistojë deri në fund në dorëheqjen e qeverisë.
Prej disa muajsh deputetët e opozitës kanë bllokuar punimet në kuvend me përdorimin e gazin lotsjellës, si dhe kanë mbajtur një seri tubimesh protestuese. Protestës së fundit, më 9 janar, iu bashkëngjitën një numër i madh qytetarësh, por ajo eskaloi në dhunë mes policisë dhe protestuesve, pasi një pjesë e këtyre të fundit me koktej molotovi i vunë flakën godinës së qeverisë.
GYLTENE SINANI
