Maqedoni

Xhaferi: Të rritet decentralizimi fiskal

11.01.2016 16:57

Maqedonia ka nevojë për decentralizim më të madh fiskal, përkatësisht rritjen e mjeteve financiare për komunat...

Kështu vlerësoi zëvendëskryeministri, Musa Xhaferi, sipas të cilit kjo do të ndihmonte zhvillimin regjional dhe zhvillimin lokal të komunave, ndërsa decentralizimi i pushtetit është edhe një prej prioriteteve që ka BE-ja dhe është një interes i drejtpërdrejtë i qytetarëve.
 
“Ne jemi të vetëdijshëm se R. e Maqedonisë ka një decentralizim të dobët të pushtetit, komunat me të drejtë kërkojnë të ngrihet ky kapacitet së pari financiar dhe në të ardhmen do të insistojmë që zhvillimi regjional bashkë me zhvillimin lokal-komunal, mendoj në aspektin e ngritjes së financave të decentralizimit fiskal, të bëjmë një avancim, i cili do të ishte minimalisht së paku gjysma e asaj që bëjnë sot komunat”- deklaroi zëvendëskryeministri, Musa Xhaferi.
 
Këto vlerësime, Xhaferi i bëri gjatë vizitës së një delegacioni të lartë të BDI-së në Ministrinë e Pushtetit Lokal, në të cilin ministri, Lirim Shabani, raportoi për aktivitetet dhe projektet e realizuara për periudhën 2014-2015 dhe projektet e planifikuara për këtë vit.
 
“Ajo që vlen të theksohet për vitin që kemi hyrë, 2016, buxheti për zhvillim të barabartë rajonal, gjegjësisht për projekte nëpër komuna, arrin vlerën prej 5 milion eurove, për herë të parë është bërë në Ministrinë e Vetëqeverisjes Lokale me tendencë të rritjes deri në arritjen e obligimit ligjor të një për qind të bruto prodhimit vendor. Elementin tjetër që e diskutuam ishte bashkëpunimi me shtetet fqinje, informova delegacionin se ne kemi bashkëpunim me katër shtetet fqinje, me R. e Kosovës, atë të Shqipërisë, Bullgarisë dhe Greqisë. Jemi në bisedime për të filluar bashkëpunimin ndërkufitar me R. e Serbisë”- tha ministri i Pushtetit Lokal, Lirim Shabani. 
 
Shabani tha se vetëm në vitin e fundit janë realizuar diku rreth 10 milion euro projekte nëpër zonat kufitare, me qëllim të zhvillimit më të madh të zonave rreth kufirit.
 
Ai po ashtu theksoi edhe projektin e sheshit Skënderbeu, që financohet nga Qeveria përmes Ministrisë se Pushtetit Lokal dhe realizohet nga Komuna e Çairit, projekt i cili, sipas ministrit, po realizohet me dinamikën e paraparë dhe me planin aksional.
 
VLORA LATIFI-TOPOJANI