Botë
OKB nis ndihmat humanitare drejt Madayas
11.01.2016 17:04
Një autokolonë e mbushur me ushqime nga ana e OKB-së përgatitet të niset drejt qytetit sirian, Madaya, prej ku raportohet se rreth 40 mijë njerëz po përballen me urinë...
Për të mbijetuar, banorët po hanë edhe mace, qen e barë, njoftojnë prej disa ditësh mediat ndërkombëtare.
“Mjekët pa kufij” kanë marrë informacion për të paktën 250 persona që vuajnë nga kequshqyerja akute, 10 nga të cilët thuhet se kanë nevojë urgjente për ndihmë mjekësore, në të kundërt do të vdesin.
Programi botëror i ushqimit kishte shpresuar më herët të dërgonte një ngarkesë të parë ushqimesh dhe ilaçesh në Madayan, e cila është e rrethuar nga forcat qeveritare, por vonesa ka ndodhur për shkak të negociatave të vështira me palët në konflikt.
Operacione ndihme janë parashikuar edhe për dy fshatra të kontrolluara nga rebelët në veri të vendit, Kefraya dhe Foah.
Bllokadat janë kthyer tashmë në tipar dallues të luftës civile në Siri, megjithatë Madaya tërhoqi në mënyrë të veçantë vëmendjen ndërkombëtare për shkak të pamjeve në internet, që tregonin shkallën e tmerrshme të kequshqyerjes së banorëve të saj.
4,5 milionë sirianë llogaritet se ndodhen në zonat e thella të vendit, ku transporti është mjaft i vështirë, përfshirë 400.000 njerëzit që jetojnë në 15 zona të rrethuara, ku ndihma që do të shpëtonte jetë nuk ka asnjë lloj qasjeje.
Madaya është nën rrethim që nga fillimi i korrikut, kur forcat qeveritare dhe aleatët e tyre në Liban, militantët e lëvizjes islamike shiite, “Hezbollah”, ndërmorën ofensivë dhe si në çdo konflikt edhe në këtë rast viktima ishin civilët, një numër i të cilëve do të gjejnë vdekjen nëse sa më shpejtë nuk arrijnë ndihmat humanitare.
GAZMEND KURTISHI
