Maqedoni
Skandali me letërnjoftimet, themelohet Komisioni Anketues pa LSDM-në
11.01.2016 17:17
Komisioni për Çështjen e Zgjedhjeve dhe Emërimeve miratoi përbërjen e Komisionit Anketues për skandalin me fabrikën e letërnjoftimeve...

Ky Komision do të funksionojë pa anëtarët e opozitës të kryesuar nga LSDM. Kjo e fundit, më herët deklaroi se do ta bojkotojë formimin e këtij Komisioni Anketues, prandaj nuk propozoi kandidatë për anëtarë në Komision dhe as që mori pjesë në seancën e Komisionit për Çështje të Zgjedhjeve dhe Emërimeve.
“Në momentin kur do të arrijnë propozime nga ana e LSDM-së edhe koalicioni do të thërrasë me urgjencë seancë të Komisionit dhe propozimet e tyre do të përfshihen në përbërjen e Komisionit”- deklaroi kryetari i KÇZE-së, Zoran Ilioski.
Mirëpo, koordinatori i grupit parlamentar të LSDM-së përsëriti qëndrimin se nuk do të marrin pjesë në një Komision Anketues që nuk është pjesë e Marrëveshjes politike të Përzhinës dhe se ky Komision për ta paraqet një anti-komision i Komisionit Anketues për skandalin me përgjimet.
“VMRO DPMNE kërkon alibi, pasi në MPB aktualisht po bëhet hetim thelbësor për falsifikimin e letërnjoftimeve. Mendoj se kësaj pyetje iu përgjigj edhe ministri i Punëve të Brendshme në seancën për pyetje deputetësh. Kur do të përfundojë ky proces do të ketë informatë të detajuar se kush ka falsifikuar dhe kush ka keqpërdorë funksionin”- tha koordinatori i LSDM-së, Goran Sugarevski.
Me Komisionin Anketues për skandalin me fabrikën për falsifikim letërnjoftimesh, pasaportash dhe afera dhe dokumente të tjera do të kryesojë deputeti i VMRO-së, Ilija Dimovski, ndërsa zëvendës do të jetë bashkëpartiaku i tij, Lupço Dimovski.
Përveç kryetarit dhe zëvendësit, ky Komision Anketues do të ketë edhe gjashtë anëtarë të tjerë nga radhët e VMRO-së, dy anëtarë nga BDI-ja dhe një anëtar nga PDSh-ja, përkatësisht Talat Xhaferi, Ejup Rustemi, Gazmend Aliu, si dhe deputetja e pavarur, Sollza Gërçeva.
SHPËTIM NUREDINI
