Shpërthim kamikaz pranë Xhamisë Blu në Stamboll, 10 të vdekur, 15 të plagosur
12.01.2016 10:42
Një kamikaz hodhi veten në erë pranë një grupi turistësh në sheshin qendror të Stambollit...

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 10:20, në zonën historike turistike të quajtur Sultanahmet, pranë Xhamisë Blu.
Cak i sulmit ishte një grup turistësh. Televizioni Shtetëror turk konfirmon për 10 të vrarë dhe 15 të plagosur, mes tyre janë 6 gjermanë, një norvegjez dhe një turist nga Peruja ndër të plagosurit në shpërthimin e Stambollit.
Helikopterët e policisë turke i janë bashkuar përpjekjeve për një hetim më të gjerë të zonës përreth.
Forcat xheniere rrethuan zonën për t’u siguruar përballë një mundësie të një bombe të dytë. Kryeministri turk, Davutoglu, mblodhi Këshillin e Sigurisë.
“Po, ishte një njeri bombë. I shikoja policët duke vrapuar gjithandej, por edhe ata nuk e dinin se çfarë po ndodh. Të gjithë ishin të shastisur dhe boshatisën menjëherë vendin nga frika e shpërthimit të ndonjë bombe të dytë”- deklaroi dëshmitari okular, Atesh D.
Sultanahmet është një zonë turistike në kryeqytetin e Stambollit, mjaft e frekuentuar nga turistët.
Ndërkaq, një hotel është përfshirë nga flakët në një tjetër lagje të Stambollit, në Maltepe. Sipas disa dëshmive të dhëna nga mediat turke, ka persona të bllokuar brenda hotelit.
GAZMEND KURTISHI
