Gruevski në ShBA takon nënpresidentin Bajden
Maqedonia dhe ShBA-të janë partnerë strategjik që duhet të thellojnë bashkëpunimin në planin politik ekonomik dhe atë të sigurisë...

Ky ka qenë konstatimi i takimit të mbrëmshëm në Uashington mes kryeministrit, Nikolla Gruevski, me nënpresidentin amerikan, Xho Bajden. Takimi ishte i shkëlqyer dhe miqësor, theksoi Gruevski pas takimit, duke shtuar se nga takimi i fundit mes tyre e deri më tani kanë ndodhur punë shumë të mira, por edhe shumë sfida, prandaj, siç tha Gruevski, është folur edhe për punët e mira edhe për sfidat.
"Në takim folëm për më tepër tema. Folëm për marrëveshjen politike, folëm për reformat në më shumë sfera, folëm për ekonominë dhe bashkëpunimin ekonomik, folëm për sfidat e sigurisë, por folëm edhe për anëtarësimin e Maqedonisë në NATO dhe në Bashkimin Evropian. Ne do të vazhdojmë të bashkëpunojmë edhe në të ardhmen me Amerikën, veçanërisht në sferën e hyrjes së Maqedonisë në NATO dhe BE, dhe mbështetja e tyre në këtë drejtim do të jetë shumë e rëndësishme në të ardhmen"- deklaroi kryeministri i RM-së, Nikolla Gruevski.
“Amerika është partner i Maqedonisë. Kemi nënshkruar deklaratë për partneritet strategjik në vitin 2008, ndërsa për shumë gjëra nga ShBA-¬ja kemi edhe mbështetje serioze”, tha Gruevski.
Para takimit me nënpresidentin amerikan Bajden, Gruevski realizoi takime edhe me Piti Seshën, kryetar i Komitetit Ligjdhënës të Kongresit amerikan, si dhe me Alen Bersin, ndihmëssekretar për siguri nacionale. Ky është takimi i dytë mes kryeministrit Gruevski dhe nënpresidentit amerikan Bajden, pasi takimi i tyre i parë u realizua në shkurt të vitit 2011. (Gyltene Sinani, TVM2)
