Botë

I dyshuari i sulmeve në Paris, Salah Abdeslam, xhirohet nga kamerat e sigurisë

12.01.2016 14:19

Imazhet e para të të dyshuarit të arratisur të sulmeve në Paris, Salah Abdeslam, duket se janë xhiruar nga kamerat e sigurisë në një pikë karburanti në Francë...

Imazhet u kapën mëngjesin e 14 nëntorit, vetëm një ditë pas sulmeve në kryeqytetin francez, ku mbetën të vrarë 130 persona.

Në këto filmime, Salah Abdeslam dukej i relaksuar, duke ecur me duar në xhepa. Mendohet se ai ka qenë në krye të logjistikës të personave të armatosur që kryen sulmet në Paris.

Salah Abdeslam thuhet të ketë telefonuar dy miqtë e tij, Mohammed Amri dhe Salah Hamza Attou, nga Parisi mëngjesin e 14 nëntorit, për të ardhur ta marrin e ta dërgojnë në Belgjikë.

Në rrugën nga Parisi për në Bruksel, të tre burrat ndaluan në një pikë karburanti, në kufirin me Belgjikën, për të paktën 15 minuta. Deri në atë moment, ata kishin arritur t’i shmangeshin tri pika kontrolli të policisë.

Mohammed Amri dhe Salah Hamza Attou ndahen nga Salah Abdeslam në Belgjikë, për t’u arrestuar vetëm një ditë më pas, në një aksion të policisë në Molenbeek.  

Ndërkohë, vetë Abdeslam vazhdon të jetë në kërkim.

GAZMEND KURTISHI