Futboll
Armando Sadiku kalon te Vaduzi
12.01.2016 16:05
Armando Sadiku ndryshon fanellë...

Klubi Zyrihut që zotëron kartonin e sulmuesit shqiptar ka arritur marrëveshjen me Vaduzin për transferimin e Sadikut deri në përfundim të këtij sezoni te skuadra nga Lihtenshtejni por që militon në Superligën zvicerane.
Gjithcka është zyrtare, teksa akordi është arritur mbi bazën e një huazimi 6 mujor me futbollistin 24-vjecar që me këtë lëvizje do të ketë mundësi për të luajtur më shumë në mënyrë që të bindë trajnerin e kombëtares shqiptare Gianni De Biasi për ta grumbulluar në Euro 2016-të. Te Zyrihu Armando Sadiku është transferuar në Janar të vitit 2014-të teksa numëron 51 paraqitje dhe 14 gola të realizuar.
Ish lojtari i Locarnos dhe Luganos ka një kontratë deri në vitin 2018 me Zyrihun por me trajnerin Sammi Hyppia në drejtim hapësirat në formacion kanë qenë të pakta për sulmuesin shqiptar gjatë muajve të fundit.
Një tjetër arsye që Sadiku zgjodhi ta vazhdojë karrierën te Vaduzi gjatë 6 muajve të ardhshëm ka të bëjë me faktin se Zyrihu vetëm para pak ditësh zyrtrazioi afrimin në ekip bomberit rus Aleksandër Kerzhakov i cili u transferua nga Zeniti në formë huazimi.
Te Vaduzi, Armando Sadiku do të gjejë një tjetër futbollist shqiptar i cili me shumë gjasa do të jetë edhe partneri i tij në sulm, pikërisht Albion Avdijajn që në 10 ndeshje që ka zhvilluar gjithsej me skuadrën nga Lihtenshtejni në këtë sezon ka arritur të realizojë 3 gola. Armando Sadiku është një lojtar shumë i rëndësishëm për kombëtaren shqiptare.
Në elimintoret e Euro 2016 ai realizoi golin e tretë në fitoren historike 0-3 ndaj Armenisë në Yerevan.
