Maqedoni
Shabani dhe Mexhiti: Projekti i bashkësisë lokale është afër realizimit
12.01.2016 16:26
Projekti i bashkësisë lokale, gjegjësisht restaurimi i një objekti i cili gjendet në Çarshinë e Shkupit, është afër përfundimit dhe së shpejti do të bëhet hapja e tij...

Këtë e thanë ministri i Vetëqeverisjes Lokale, Lirim Shabani, dhe kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti, të cilët inspektuan punimet që po bëhen në këtë objekt.
“Po konstatojmë bashkërisht se objekti është para përfundimit, shpresojmë që shumë shpejt do të përfundojë dhe do të lëshohet në përdorim. Ky projekt nuk është projekt i vetëm që e bëjmë me kryetarin e Komunës së Çairit, kemi edhe projekte tjera, edhe si pushtet qendror në bashkëpunim me pushtetin lokal, përveç Komunës së Çairit kemi edhe gjithandej në RM projekte të shumta”- deklaroi ministri i Vetëqeverisjes Lokale, Lirim Shabani.
Pjesën e poshtme të objektit do ta shfrytëzojnë afaristët të cilët punojnë në Çarshinë e Vjetër, ndërsa pjesa lartë do të jetë e destinuar për kreatorin, Izet Curri, informoi kryetari i Komunës së Çairit, i cili theksoi se projekti është realizuar me fonde të huaja.
“Nëse me IPA fondet renovohet krejtësisht objekti nga jashtë, me fondin e Bankës Botërore duhet të rregullohet prej brenda dhe të pajiset objekti. Ky është një ndër projektet ku në mënyrë të suksesshme shfrytëzohen fondet e huaja. Këtu afër nesh është edhe një projekt tjetër, projekti i Jigit Pashës, ku me fondet tjera nga Turqia është renovuar krejtësisht një lagje dhe i është kthyer po ashtu pamja autentike Çarshisë”- tha kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti.
Ndërsa kryetari i komunës tha se bashkë me realizimin e projektit për ndërrimin e vitrinave, Çarshia do të merr pamje tjetër.
“Besoj se Çarshia do të merr pamje pak më ndryshe, besoj se edhe më tej do të vazhdojmë me projektit që t’i ndërrojmë komplet vitrinat e Çarshisë, t’i ndërrojmë krejt tendat, që Çarshia të merr një pamje tjetër, sikur Çarshia që është në Sarajevë apo në Gjakovë”- theksoi kryetari i Esnafit, Bejtullah Morina.
Projekti i restaurimin të objektit të bashkësisë lokale është projekt i natyrës së bashkëpunimit ndërkufitar, i cili realizohet në komunat e Gjilanit dhe Çairit. Vlera totale e projektit arrin në 500 mijë euro.
ERSAN PAJAZITI
