Maqedoni
Eurodeputetët me porosi të implementohet në tërësi Marrëveshjen e Përzhinës pa humbur kohë
12.01.2016 16:50
Partitë politike të implementojnë Marrëveshjen e Përzhinës në tërësi dhe reformat urgjente të gjejnë zbatueshmëri pa humbur kohë dhe me aktivitet të përshpejtuar...

Kështu deklaruan sot tre eurodeputetët, Hovit, Kukan dhe Vajgël, pas takimit të tyre me liderët politik një ditë më parë.
“Ardhmëria e vendit ndërtohet në bazë të implementimit të tërësishëm të Marrëveshjes së Përzhinës”- deklaroi eurodeputeti, Riçard Hovit.
“Ne presim që Maqedonia të vazhdojë me reformat urgjente. Akoma nuk janë implementuar. Ekzistojnë ca punë për të cilat janë marrë vesh, por që shkelen afatet. Procesi gjithsesi zhvillohet dhe mund të pranojmë se kemi zhvillim pozitiv”- deklaroi eurodeputeti, Ivo Vajgël.
“Marrëveshja e Përzhinës nuk është implementuar në tërësi, përndryshe nuk do të ishim këtu. Patjetër të implementohet, patjetër të përfshihet dorëheqja e kryeministrit Gruevski dhe patjetër të ketë reforma strukturore. Është shumë me rëndësi të theksojmë se Marrëveshja e Përzhinës duhet të implementohet në kohë dhe implementimi njëkohësisht hap rrugën e mëtutjeshme të vendit”- tha eurodeputeti, Eduard Kukan.
Eurodeputeti dhe raportuesi për Maqedoninë, Ivo Vajgël, theksoi se është shumë me rëndësi që vendi t’i kontribuojë rrugës euroatlantike, ndërsa politikanët shtetërorë t’i përmbahen Marrëveshjes së Përzhinës.
Ndërkaq, theksuan se prokurores speciale duhet t’i jepet përkrahje maksimale në punën e saj, ndërkaq shprehën shqetësim për shkeljen e disa afateve që kanë të bëjnë me procesin zgjedhor dhe përbërjen e KShZ-së.
Eurodeputetët, mes tjerash, theksuan se kohëve të fundit është përmirësuar kultura politike si dhe gjendja me mediat, ndërkaq theksuan se mediat kanë rol të rëndësishëm në demokracinë e vendit.
Ivo Vajgël në fjalimin e tij tha se Maqedonia ka rëndësi të madhe në gjeopolitikën evropiane dhe dëshiron që vendi sa më shpejt të integrohet në Bashkimin Evropian.
Zgjedhjet e prillit do të jenë një moment që do të ndikojë në rekomandimin e ardhshëm në raport progresin për Maqedoninë, theksuan eurodeputetët në press konferencën e sotme.
NERMIN MULAKI-FEJZULLAHU
