Maqedoni
Ministri Izairi vizitoi Komunën e Jegunovcës, bashkëpunimi vazhdon, do të realizohen projekte
12.01.2016 17:08
Rregullimi i shtratit të lumit Vardar në Komunën e Jegunovcës, bashkëfinancimi i sistemit të kanalizimeve, sistemi i ujësjellësit...

Rregullimi i shtratit të lumit Vardar në Komunën e Jegunovcës, bashkëfinancimi i sistemit të kanalizimeve, sistemi i ujësjellësit, ndërtimi i stacioneve për trajtimin e ujërave të zeza si dhe çështja e “Jugohromit” janë vetëm disa nga projektet që ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Nurhan Izairi, i diskutoi me kryetarin e Komunës së Jegunovcës, Toni Kocevski.
“U informova nga kryetari për çështjen e mbrojtjes së ujërave, në cilat lokale janë ndërtuar sistemet e kanalizimeve, sisteme të ujësjellësve dhe në cilat lokalitete mungon ndërtimi i stacioneve për trajtimin e ujërave të zeza. Gjithashtu biseduam edhe për çështjen e ndotjes ambientale dhe për çështjen e kompanisë ‘Jugohrom’”- deklaroi ministri i MJPH-së, Nurhan Izairi.
2016-ta për Komunën e Jegunovcës do të jetë një vit i projekteve të shumta, të cilat do të ndikojnë drejtpërsëdrejti në mirëqenin e banorëve të kësaj ane, tha me këtë rast kryetari i kësaj komune, Toni Keceski.
“Me shumë kënaqësi mund të tregoj se në 2016-tën do të fillojmë me projektin e shumëpritur për rregullimin e shtratit të lumit Vardar, projektin në Jegunovcë deri në Tudencë, me gjatësi prej 7 km, projekt me vlerë prej 6,5 milion eurove, ndërsa vitin e ardhshëm, sipas njoftimeve të ministrit, janë të parapara afër 100 milion denarë, ku me këto mjete është paraparë që brenda dy-tre viteve të përfundojë projekti i tëri, me çka vërshimet-brenga e kamotshme e qytetarëvetë Jegunovcës-do të mbetet e kaluar”- theksoi kryetari i Komunës së Jagunovcit, Toni Kocevski.
Pas takimit, ministri Izairi dhe kryetari i Komunës së Jegunovcës, Kocevski, vizituan edhe Kompaninë “Jugohrom”.
Kocevski thotë se problemin me ndotjen e ajrit me grimcat PM10 duhet ta zgjidh jo vetëm Ministria e Mjedisit Jetësor, por edhe subjektet e vetëqeverisjes lokale, subjektet lokale, sepse i gjithë ai ekspansion ndërtimor që ekziston nëpër qytete dhe komuna duhet të zgjidhet me plan.
Sipas tij, me analiza profesionale dhe ekspertizë do të përcaktohet saktë arsyeja dhe shkaktari më i madh i ndotjes.
BELINDA KOKA-ADEMI
