Maqedoni
Tetovë, era e fuqishme shkakton dëme të konsiderueshme
12.01.2016 17:18
Era e fortë, që kaploi mbrëmë luginën e Pollogut, ka shkaktuar dëme në objekte dhe të mbjella bujqësore që kanë qenë në sera...

Më të dëmtuara janë fshatrat e malësisë së Tetovës, me çka një pjesë e tyre kanë ngelur edhe pa energji elektrike si pasojë e shkuljes së shtyllave, me çka ka pësuar edhe xhamia e fshatit Pallçisht i Epërm.
Për t’u njohur nga afër me dëmet, në terren ka dalë edhe kryetarja e Komunës së Tetovës, Teuta Arifi, së bashku me shefin e Njësisë Territoriale Kundër Zjarrit, Uka Alitin, dhe u kanë premtuar ndihmë banorëve të dëmtuar.
“Sipas informacioneve që kemi, nga ora pesë e gjysmë e mëngjesit, me fillimin e erës më të furishme në qytet, Njësia Kundër Zjarrit në qytet ka intervenuar në tetë lokacione. Lokacioni ku gjendemi tani është më i dëmtuari, prandaj dola personalisht të shoh dhe të vërtetohem. Normalisht që ne do vazhdojmë me njësinë tonë t`i ndihmojmë qytetarët, kemi kërkuar që t’i bëjnë paraqitjet tek arkivi sa iu përket dëmeve, që të dalin komisionet për vlerësim të dëmeve. Kërkojmë nga qytetarët dhe fëmijët që sa më pak të dalin që të mos kenë dëme më të mëdha”- deklaroi kryetarja e Komunës së Tetovës, Teuta Arifi.
“Erërat e forta që kanë fry orët e hershme të mëngjesit kanë qenë mjaftë të fuqishme në rrugën e Ilindenit, ku një konstruksion i kulmit të një objekti shumëkatësh bie në copa-copa, bie në rrugën industriale, ku gjatë rënies së konstruksionit dëmtohen katër-pesë makina. Nga ana jonë është dalë menjëherë në vendin e ngjarjes dhe gjashtë zjarrfikës kanë intervenuar menjëherë në nxjerrjen e atyre pjesëve të konstruksionit të kulmit”- theksoi shefi i Njësisë Territoriale të Zjarrfikësve-Tetovë, Uka Aliti.
Nga Sektorit për Punë të Brendshme në Tetovë theksuan se deri në mesditë janë denoncuar disa dëme, që kanë shkaktuar mbrëmë erërat e fuqishme.
VISAR SADIKI
