Maqedoni

Skandali me letërnjoftimet, Komisioni Anketues përplasi LSDM-në dhe VMRO-në

12.01.2016 17:50

Themelimi i Komisionit Anketues, i cili duhet të hetojë skandalin me fabrikën e letërnjoftimeve, ka nxitur një debat të ashpër në seancën plenare të kuvendit...

Derisa nga VMRO-DPMNE konsiderojnë se ky skandal duhet të hetohet nga një komision i posaçëm anketues, LSDM themelimin e tij e cilëson si komision paralel dhe kundërkomision me komisionin e themeluar që duhet të hetojë aferën me përgjimet.   
“A nuk  është fakt se është gjetur fabrikë për përpunimin ilegal të dokumenteve? Tani kush po ikën nga e vërteta, pse po ikni nga e vërteta? Pse po ikni nga pjesëmarrja në këtë komision për ta kuptuar të vërtetën për këtë skandal? Komisioni i formuar ,ku kryetari është anëtar i partisë suaj, është i angazhuar për skandalin me përgjimet dhe nuk ka lidhje me dokumentet e falsifikuara në fabrikën e ‘Çaushit’. Kjo do të thotë se ju po i ikni dhe i frikoheni të vërtetës”- deklaroi deputeti i VMRO-DPMNE-së, Zoran Ilioski.
 
“VMRO-DPMNE, duke shfrytëzuar mundësinë e shumicës në kuvend, dëshiron të formojë një kundër komision të ri krahas Komisionit Anketues, i cili është themeluar në pajtim me Marrëveshjen e Përzhinës dhe i duhet të hetojë rastin me përgjimet.  Ky Komision Anketues përbën edhe një përpjekje për të defokusuar opinionin. Me këtë Komision Anketues, VMRO-DPMNE dëshiron të pastrohet nga e gjithë ajo që ka bërë gjatë viteve të kaluara”- tha deputeti i LSDM-së, Vasko Kovaçevski.
 
Debati vazhdoi të ashpërsohet akoma më shumë pas fjalimit të deputetit të PRSD-së, Goran Misovski. Ai tha se me këtë veprim VMRO-DPMNE ka tejkaluar veten në turp dhe marrëzi. Sipas tij, të themelosh një kundër-komision do të thotë më shumë se marrëzi.
 
Fjalimit të tij i replikuan deputetët e VMRO-DPMNE-së me qëndrimin se opozita po i frikohet themelimit të Komisionit Anketues dhe nxjerrjes së të vërtetës në shesh. 
 
NAIM RAMADANI