Maqedoni
Shabani: Shtëpia e Kulturës në Mateç, mundësi për zhvillim të kulturës dhe traditës
12.01.2016 17:54
Ministri për Vetëqeverisje Lokale, Lirim Shabani, sot vizitoi Komunën e Likovës për të monitoruar nga afër projektin “Kultura në veprim”...

Ministri për Vetëqeverisje Lokale, Lirim Shabani, sot vizitoi Komunën e Likovës për të monitoruar nga afër projektin “Kultura në veprim”, me ç’rast qëndroi edhe në objektin e ri të Shtëpisë së Kulturës në fshatin Mateç të kësaj komune.
Gjatë takimit me kryetarin e Komunës së Likovës, Sadulla Durakun, u njoftua me dinamikën zhvillimore në infrastrukturë, me aktivitetet dhe përpjekjet për përmirësimin e jetës së qytetarëve në këtë komunë rurale, me theks të posaçëm për projektin që është në ecuri “Kultura në veprim”.
Kryetari i Komunës së Likovës, Sadulla Duraku, e informoi ministrin Shabani me aktivitetet e planifikuara, duke potencuar se në kuadër të projektit do të bëhet rikonstruimi i librarisë në fshatin Mateç, ndërsa do të organizohet edhe punëtori për “Përgatitje dhe menaxhim të projekteve të financuara nga fondet e BE-së”.
Duke theksuar se për realizimin e këtij projekti janë ndarë mjete edhe nga buxheti i Komunës. Gjithashtu u nënvizua edhe ajo se pas përfundimit të punëve ndërtimore do të përgatiten materialet promovuese, ndërsa kohëzgjatja e projektit është 18 muaj dhe kap vlerën prej 250,000 eurove.
NEXHAT AQIFI
