Botë

Fjalimi i fundit i presidentit Obama: gabim kur politikanët fyejnë myslimanët

13.01.2016 13:48

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Barack Obama, mbajti fjalimin e tij të fundit drejtuar kombit...

Lufta kundër terrorizmit dhe sulmi ndaj linjës së Donald Trump ishte në fokusin e fjalimit të shefit të Shtëpisë së Bardhë, që u ndoq nga 30 milionë amerikanë.
 
Edhe pse nuk përmendi asnjë emër, Obama sulmoi Donald Trump për propozimin e tij për t’ju ndaluar myslimanëve hyrjen në ShBA.
 
Ai ftoi amerikanët që mos të pranojnë politikat që targetojnë njerëzit për shkak të racës dhe besimit të tyre.
 
“Të imitosh urrejtjen dhe dhunën e tiranëve e të vrasësve është mënyra më e mirë e tyre për t’i marrë postet. Kur politikanët fyejnë myslimanët, kjo nuk na bën më të sigurt. Është e gabuar! Thjesht na zvogëlon  në sytë e botës dhe vështirëson arritjen e qëllimeve tona”- deklaroi presidenti i ShBA-ve, Barak Obama.
 
Si president i vendit që drejton koalicionin ndërkombëtar kundër “Shtetit Islamik”, Obama u shpreh se “në botën e sotme kërcënohemi më pak nga perandoritë e këqija dhe më shumë nga shtetet e dështuara”.
 
‘“Al Qaeda’  dhe ‘Shteti Islamik’ përbëjnë një kërcënim të drejtpërdrejtë për popullin tonë, sepse në botën ku jetojmë sot edhe një grup i vogël terroristësh mund të bëjë shumë dëme. Ata helmojnë mendjet e njerëzve tanë nëpërmjet internetit, veprimet e tyre  kanë minuar dhe destabilizuar aleatët tanë. Ne duhet të shkatërrojmë terrorizmin”- tha presidenti i SHBA-ve, Barak Obama.
 
Sa i përket ekonomisë amerikane, Obama tha se ka ende shumë për të bërë, por gjatë mandatit të tij është arritur shumë.
 
“Kushdo që pretendon se ekonomia amerikane është në rënie, fantazon. Shtetet e Bashkuara të Amerikës aktualisht kanë ekonominë më të fortë dhe më të qëndrueshme në botë. Deri tani kemi hapur 900 mijë vende të reja pune. Papunësia është përgjysmuar”- theksoi Obama.
 
Dhe ashtu siç e nisi, presidenti amerikan e mbylli fjalim e tij me optimizëm, duke deklaruar se vite të lavdishme e presin Amerikën edhe pasi ai të largohet nga detyra. Askush nuk duhet të ketë frikë nga ndryshimet, tha ai.
 
LEUNORA KALIQI