LeBron shpëton Cavaliers në shtesë, “OK” Lakers e Spurs

13.01.2016 14:52

Cleveland në Lindje dhe San Antonio në Perëndim fitojnë në ndeshje e luajtur dje, duke “kërcënuar” kampionët e Golden State, që ishin pushim...

Cavaliers fituan 110-107 ndaj Dallasit pas kohës shtesë, në një ndeshje emocionuese dhe spektakolare. Ky është suksesi i tetë radhazi për Cleveland, i 27-ti në kampionat, në një ndeshje ku u dallua LeBeron James me 27 pikë e 10 rebaund. Mirë u paraqit edhe Irving me 22 pikë, ndërsa për Maveriks nuk mjaftuan 25 pikët e Pearsons.

Fitoren e nëntë në kampionat korrën Lakers, që mundën 95-91 New Orleans, sfidë ku u rikthye Bryant (7 pikë). Williams me 19 pikë e Clarkson me 18 bënë diferencën në fushë për kalifornianët, ndërsa Evans e mbylli me 21 pikë për miqtë, por që mbetën për statistikë. Nuk zhgënjen New York, që triumfoi 120-114 ndaj Boston, duke barazuar numrin e fitoreve dhe humbjeve në kampionat, 20. Gjashtë lojtarë të ekipit nju-jorkez realizuan mbi 15 pikë, ku u dalluan Porzingis me 26 pikë e Affalo me 24.

San Antonio triumfoi 109-99 ndaj Detroit, duke korrur fitoren e nëntë radhazi. Një ndeshje e mirë për francezin Toni Parker, autor i 31 pikëve, mbështetur edhe nga Aldridge me 22 pikë e 13 rebaund. Sukses që afron Spurs me Golden State në renditje. Vuan disi, por në fund del fituese nga fusha skuadra e Oklahomës, që mposhti 101-96 Minnesotën. Kevin Durant me 30 pikë ishte lider në fushë për miqtë, mbështetur nga Westbrook me 22 pikë e 11 asist.