Botë
UNICEF: 24 milion fëmijë pa shkollë në 22 vende
13.01.2016 14:56
Në 22 shtete të prekura nga konflikti, rreth 24 milion fëmijë janë prekur nga kriza dhe nuk kanë mundësi shkollimi, raporton UNICEF-i...

Analizat tregojnë se afërsisht një në katër fëmijë të moshës 6 deri në 15 vjeçare, nga 109.2 milion fëmijët të cilët jetojnë në zona të konfliktit, nuk ndjekin procesin edukativ në ciklin fillor dhe të mesëm.
Sudani Jugor është vendi me numër më të lartë të fëmijëve të kësaj kategorie që nuk e vijojnë shkollimin, numri i tyre arrin në 51 për qind.
Numër të përafërt ka Nigeria me 47 për qind të fëmijëve që nuk kanë qasje në shkollim, pason Sudani me 41për qind dhe Afganistani me 40 për qind. Në vendet e prekura nga konflikti të dhënat për fëmijët grumbullohen me shumë vështirësi dhe për këtë arsye UNICEF-i thotë se kjo problematikë mund të jetë në shifra edhe më alarmante.
Organizatën e shqetëson fakti se gjenerata të tëra që aktualisht po rriten në vende në konflikt, jo vetëm që përballen me mungesën aktuale të arsimit, por ata po rriten pa aftësitë e nevojshme që të kontribuojnë në vendin dhe ekonominë e tyre, e kjo në mënyrë plotësuese do të rëndojë situatën tashmë të dëshpëruar për miliona fëmijë dhe familjet e tyre.
UNICEF-i kërkon në mënyrë të dëshpëruar të krijojë mundësitë që këta fëmijë të kenë qasje në procesin arsimor. Arsimi vazhdon të jetë një nga sektorët më pak të financuara në kërkesat humanitare. Në Ugandë, ku UNICEF-i është duke siguruar shërbime për refugjatët e Sudanit Jugor, arsimi përballet me 89% zbrazëtirë financiare.
Gjatë periudhave jostabile dhe atyre të dhunës, shkollat bëhen më shumë se një vend për të mësuar. UNICEF-i po punon për të krijuar mjedise të sigurta ku fëmijët mund të mësojnë dhe të luajnë për të rikthyer jetën normale.
LEUNORA KALIQI
