Maqedoni

Zoran Zaev: Zgjedhje do të ketë kur të plotësohen kushtet

13.01.2016 15:08

LSDM është e gatshme për zgjedhjet e parakohshme. Lideri i opozitës maqedonase, Zoran Zaev, vlerëson se partia e tij është gati për zgjedhjet për të cilat ka luftuar aq shumë...

Por, paraprakisht, sipas tij, duhet të zbatohet në tërësi Marrëveshja e  Përzhinës, të sigurohen zgjedhje të lira dhe demokratike, që është kushti themelor që del nga kjo marrëveshje. 
 
Në intervistën për Kanal 5, Zaev thotë se marrëveshja kërkon që zgjedhjet të jenë të lira e të pranueshme dhe kjo ka më shumë rëndësi se data e mbajtjes së tyre.
 
“Në Marrëveshjen e Përzhinës ka disa çështje që janë përfunduar, siç është formimi i Prokurorisë Speciale, por ka disa çështje, si liria e shtypit dhe verifikimi i listës zgjedhore, të cilat nuk kanë tërësisht të zgjidhura”- deklaroi lideri i LSDM-së, Zoran Zeav.
 
Derisa LSDM pret ende arritjen e marrëveshjeve për çështjet e mbetura hapur, nga BDI thonë se janë të gatshëm për zgjedhjet e 24 prillit, madje janë të bindur në fitore. Sa i përket vërejtjeve që ngre opozita për parregullsi në ciklet e kaluara, nga BDI thonë se i takon organeve kompetente të vërtetojnë nëse ka pasur parregullsi e t’i zbardhin rastet. 
 
“Ne kuptohet, si BDI, në kontinuitet edhe në të kaluarën edhe tani punojmë në zbardhjen e çdo rasti dhe do të qëndrojmë mbrapa çdo iniciative e cila ka të bëjë me zbardhjen e rasteve atje ku ka falsifikime ose dyshime për falsifikime”- tha shefi i shtabit zgjedhor të BDI-së, Bekim Neziri.
 
Shefi i shtabit zgjedhor të BDI-së ka komentuar edhe deklarimet e fundit të deputetes, Ermira Mehmeti, e cila dje paralajmëroi ngrirjen e të gjitha aktiviteteve brenda BDI-së. Sipas Nezirit, BDI është parti demokratike ku lejohet mendimi ndryshe. Ai nuk pret që Mehmeti të braktisë partinë për të cilën aq shumë ka kontribuar që nga themelimi, megjithëse pranon që është e drejta e gjithkujt të vendosë se ku do të japë kontributin e vet.
 
SANIJE KASAMI