Ekonomi
Hidrocentralet e vogla, “Condotte” 19 milion euro investim në Maqedoni
13.01.2016 15:32
Kompania italiane “Condotte” dhe Ministria e Ekonomisë promovuan fillimin me punë të hidrocentralit të parë nga gjithsej katër që do të ndërtojë kjo kompani në Maqedoni. Investimi kap shifrën e 19 milion eurove...

Ministri i Ekonomisë, Bekim Neziri, tha se ky investim është me rëndësi pasi që kompania “Condotte” është një ndër kompanitë më të suksesshme të Italisë, e cila pritet të investojë edhe më shumë në Maqedoni.
“Flitet për një investim i cili ka të bëjë me 19 milion euro nga kompania italiane ‘Condote’, i cili investim është për herë të parë në Maqedoni nga kjo kompani. Më gëzon fakti që Kompania ‘Condote’ është një ndër kompanitë më të suksesshme, me një qarkullim prej 1.2 miliardë euro në Itali, andaj kjo jep një sinjal se Ministria e Ekonomisë dhe qeveria vazhdon me thithjen e investimeve të huaja”- deklaroi ministri i Ekonomisë, Bekim Neziri.
Kompania italiane “Condotte” ka një histori 132 vjeçare dhe nga kjo kompani janë të interesuar edhe për investime të tjera në vendin tonë.
“‘Condote Italia’, me një histori prej 135 vjetësh, realizoi investimin e parë prej 19 milionë euro në ndërtimin e 4 hidrocentraleve të vogla për prodhimin e energjisë elektrike, ndërsa pasi që jemi shumë të kënaqur me bashkëpunimin dhe mbështetjen që kemi nga Ministria e Ekonomisë dhe Qeveria, kemi në plan të vazhdojmë me investime të reja në Maqedoni edhe në të ardhmen”- tha pronari i Kompanisë “Condote”, Duccio Astaldi.
Ministri Neziri dhe drejtuesit e “Condotes” folën edhe për mundësinë e bashkëpunimit për projektin e autostradës Shkup-Bllacë, të cilin kjo kompani e vlerëson si një mundësi të mirë.
ERSAN PAJAZITI
