Maqedoni
Ministria e Ekologjisë, Izairi prezanton projektet e realizuara
13.01.2016 16:03
Ministri i Ekologjisë, Nurhan Izairi, ka prezantuar projektet e Ministrisë që ai drejton të realizuara vitin e kaluar dhe ato të vitit 2016...

Si projekte më të rëndësishme, Izairi theksoi ndërtimin e sistemeve për furnizim me ujë të pijshëm dhe grumbullimin dhe trajtimin e ujërave të zeza.
Në këtë sferë, përmes IPA fondeve janë të realizuara mbi 40 projekte me vlerë prej 30 milion euro. Në kuadër të komponentit IPA, gjatë vitit 2015 janë përfunduar 7 projekte, në fazë implementimi janë 11, si dhe 4 projekte duhet të fillojnë në vitit 2016.
“Ndërtimi i kanalit për grumbullimin e ujërave të zeza dhe atmosferik në Komunën e Haraçinës 1.5 milion euro, ndërtimi i një pjese të kanalizimit fekal në vendbanimin Hasanbeg, Komuna e Gazi Babës–91 milion denarë, ndërtimi i ujësjellësit në Tetovë 115 milionë denarë. Projektimi dhe ndërtimi i stacionit filtrues i sistemit të furnizimit me ujë në Gostivar me vlerë të përgjithshme prej 2 milionë eurosh”- deklaroi ministri i Ambientit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Nurhan Izairi.
Kurse sa i përket cilësisë së ajrit, ai tha se Ministria e Mjedisit Jetësor në vazhdimësi bën mirëmbajtjen e sistemit shtetëror monitorues, ku dhe përmendi realizimin e dy projekteve për përmirësimin e cilësisë së ajrit.
“Në mënyrë plotësuese, në kuadër të twinning projektit, do të hartohet edhe plani për cilësinë e ajrit në Tetovë. Me të njëjtin projekt kanë filluar matjet indikative të metaleve të rënda në Shkup dhe Tetovë, me çka do të mund t’i përcaktojmë burimet e ndotjes së ajrit. Rezultatet nga këto matje priten nga fundi i prillit”- tha Izairi.
Ministri Izairi theksoi se kjo ministri ka arritur sukses në lidhje me ndryshimet klimatike, duke vënë theks në miratimin e raportit të parë të reviduar për ndryshimet klimatike, me çka Maqedonia është shteti i parë në rajon dhe i 11-ti në botë që e realizoi këtë detyrim.
BELINDA KOKA-ADEMI
