Maqedoni
Qendra Rajonale për Zhvillim të Pollogut, inaugurohen hapësirat e reja, kushte më të mira për punë
13.01.2016 16:26
Ministri i Pushtetit Lokal, Lirim Shabani, dhe kryetarët e komunës së Tetovës, Vrapçishtit dhe Bërvenicës, inauguruan sot hapësirat e reja të Qendrës për Zhvillim të Rajonit Planor të Pollogut në Tetovë...

Përmes kësaj qendre, komunat e Pollogut mund të aplikojnë me projekte për të përfituar fonde kombëtare dhe ndërkombëtare. Bashkëpunimi është dëshmuar, veçanërisht në vitin e fundit, në projekte të ndryshme infrastrukturore, që i përfshin të gjitha komunat e rajonit të Pollogut.
“Ne si qendër bashkërisht konkurruam, ata morën pjesë në 2 milionë e 500 mijë denarë, ndërkohë nga buxheti i Komunës së Tetovës kemi ndarë 400 mijë denarë, 250 mijë denarë nga buxheti i Komunës së Gostivarit. Kjo tregon edhe një herë që me një bashkëpunim të përbashkët dhe me një partneritet të mirë mund të themi se bëjmë gjëra të mira së bashku”- deklaroi kryetarja e Komunës së Tetovës, Teuta Arifi.
Sipas ministrit Shabani, kjo qendër është urë lidhëse mes ministrisë, komunave dhe qytetarëve.
“Para pak kohe kemi bërë edhe disa ndryshime ligjore, që u jepet favor pozitiv për përkrahje financiare për çështjen për zhvillim hapësinor në Maqedoni. Këto qendra drejtpërdrejt aplikojnë në fonde kombëtare dhe ndërkombëtare nga gjithë donatorët dhe prej tyre në bazë ligjore do të kenë mundësi t’ju mbetet qendrave për zhvillim rajonal”- tha ministri i Pushteti Lokal, Lirim Shabani.
Ministri Shabani qëndroi edhe në UShT, ku u njoftua me rrjedhën e projektit ndërkufitar që realizohet mes UShT-së dhe Universiteti të Prishtinës për menaxhimin e mësimit të ekosistemit dhe zhvillimit të qëndrueshëm në malin Sharr.
“Është projekti i parë i IPA fondeve që kemi fituar si UShT... Ne deri më tani kemi pasur disa takime koordinative me përfaqësues të Universitetit të Prishtinës, pasi që këtë projekt e kemi të fituar së bashku dhe duhet ta implementojmë së bashku. Njëkohësisht kemi shpallur edhe thirrje për ekspertë të jashtëm, që do të jenë si trajnues të stafit dhe studentëve tanë”- theksoi koordinatori i projektit nga UShT, Festim Halili.
Ministri Shabani premtoi se do të jetë gjithnjë pranë pushtetit lokal, me qëllim të realizimit të projekteve në të mirë të popullatës së Pollogut.
VISAR SADIKI
