Maqedoni
Afera me falsifikimin e letërnjoftimeve, Kuvendi miratoi përbërjen e Komisionit Anketues
13.01.2016 17:05
Kuvendi republikan miratoi vendimin për zgjedhjen e kryetarit, nënkryetarit dhe anëtarët e Komisionit Anketues...

Kuvendi republikan miratoi vendimin për zgjedhjen e kryetarit, nënkryetarit dhe anëtarët e Komisionit Anketues për skandalin me falsifikimin e letërnjoftimeve, pasaportave, aferave dhe dokumenteve të tjera.
Opozita maqedonase bojkotoi votimin. Miratimit të vendimit për komisionin e dytë anketues i parapriu debat i ashpër mes pushtetit dhe opozitës maqedonase. Sipas VMRO-DPMNE-së ky komision ka për qëllim që të zbardh skandalin, ndërkaq LSDM vlerëson se skandali është i kurdisur, ndërsa komisioni paraqet një anti-komision të Komisionit Anketues për skandalin me përgjimet.
“Grupi parlamentar i VMRO-DPMNE-së nuk ka besim në ministrin e Punëve të Brendshme, pasi sipas informatave në media ai ka qenë në komunikim intensiv me personat e dyshuar në këtë aferë. Madje, edhe në momentin kur janë arrestuar nga Prokuroria Publike, ai ka qenë në komunikim me ta për t’i shpëtuar”- deklaroi Ilija Dimovski nga VMRO-DPMNE.
“Dhjetë vjet jeni në pushtet dhe për dhjetë vjet e keni mbajtur këtë ‘çaush’ për ta kapur tani dhe për ta shfrytëzuar për punë të këtilla?! 25 vjet punoj në çështje të tilla, ku kriminelët e imët ruhen për të zënë ‘peshqit e mëdhenj’, ju nuk arritët ta bëni këtë, pasi ju vetë jeni ‘peshqit’ më të mëdhenj kriminel në Maqedoni dhe në rajon”- tha Stojko Paunoski nga LSDM.
Ndërkaq, deputeti i BDI-së, Rafiz Haliti, ftoi opozitën maqedonase që të delegojë anëtarë në këtë komision, edhe pse vetë është i bindur se komisionet anketuese në Maqedoni kanë dështuar vazhdimisht dhe se rastet kriminale që përbëjnë vepra penale duhet t’i zbardhin institucionet.
“Është dëshpëruese edhe për ne deputetët, por edhe për qytetarët e RM-së se në Kuvend me të vërtetë formohen komisione anketuese, por asnjëherë punën nuk e kanë çuar deri në fund dhe asnjëherë nuk kanë arritur ta zbardhin të vërtetën. Në shtetet ku funksionon ligji dhe në shtetet ku funksionojnë institucionet, këto punë i zbardhin institucionet”- theksoi Rafiz Aliti nga BDI.
“Keni zëvendësministër për mbrojtje në këtë shtet. Lejoni Zemri Qamilin që të mbarojë punë atje me ‘çaushin’ dhe të tjerë. Si mundeni q[ në njërën anë kërkoni që institucionet të zbardhin këto raste dhe në anën tjetër merrni pjesë në komision?!”- theksoi Stojko Paunoski nga LSDM.
Komisioni Anketues për skandalin me falsifikimin e letërnjoftimeve, pasaportave, aferave dhe dokumenteve të tjera do të drejtohet nga deputeti i VMRO-DPMNE-së, Ilija Dimovski, dhe do të ketë shumicën e anëtarëve po nga kjo parti. Në komision ka edhe tre anëtarë shqiptarë, dy nga pushteti dhe një nga opozita, ndërsa opozita maqedonase deklaroi se nuk e njeh këtë trup dhe do ta bojkotojë.
SHPËTIM NUREDINI
