Maqedoni

Universiteti i Tetovës: i rikthehemi emrit të themelimit, UT

13.01.2016 17:30

Universiteti Shtetëror i Tetovës edhe zyrtarisht, përmes një kumtese, njoftoi sot rikthimin e emërtimit të themelimit të tij në vitin 1994...

Universiteti Shtetëror i Tetovës edhe zyrtarisht, përmes një kumtese, njoftoi sot rikthimin e emërtimit të themelimit të tij në vitin 1994 dhe tani e tutje do të quhet Universiteti i Tetovës. 
 
“UT, si institucion i vetëm i arsimit të lartë në gjuhën shqipe në Republikën e Maqedonisë, ndër vite është kujdesur që ta ruaj dhe kultivojë veprimtarinë e mirëfilltë arsimore dhe shkencore, por mbi të gjitha ta ruaj historikun e lavdishëm të tij, si vlerë e çmuar që përfaqëson përpjekjet dhe sakrificat e kombit tonë, për këtë vatër të dritës dhe diturisë. Strategjinë, planifikimin dhe politikat arsimore në vend, për hapjen e universiteteve, fakulteteve apo programeve të reja studimore e realizon Qeveria e RM-së, përkatësisht Ministria e Arsimit dhe Shkencës. Njoftojmë studentët, profesorët, qytetarët dhe mbarë opinionin se studentët aktualë në të gjitha programet studimore, studimet e tyre do t’i kryejnë në Universitetin e Tetovës. Udhëheqësia e Universitetit angazhohet fuqishëm që ky tempull i dijes, i edukimit të shumë brezave të studentëve, përkushtimit të profesorëve dhe punonjësve të tjerë, veprimtarinë e vet ta zhvillojë sipas traditave më të avancuara të universiteteve prestigjioze evropiane dhe botërore”, thuhet në njoftimin e UT-së.