Maqedoni

Përmendoret shqiptare të “Shkupit 2014”, Zhernovski: i harruan qëllimisht, presim t’i sjellin

13.01.2016 17:37

Nga realizimi i plotë i vendosjes së përmendoreve në kuadër të projektit “Shkupi 2014” kanë mbetur pa u vendosur vetëm tre figurat...

Nga realizimi i plotë i vendosjes së përmendoreve në kuadër të projektit “Shkupi 2014” kanë mbetur pa u vendosur vetëm tre figurat e historisë shqiptare, Nexhat Agolli, Josif Bageri dhe Pjetër Bogdani.
 
Të njëjtat do të vendosen në momentin kur do të arrijnë, tha kryetari i Komunës Qendër, Andrej Zhernovski, gjatë llogaridhënies para qytetarëve për realizimin e programit të tij gjatë vitit 2015.
 
Sipas tij, përmendoret janë të parashikuara me planin detal urbanistik të miratuar nga udhëheqja e kaluar dhe i njëjti nuk ka pësuar ndryshime me ardhjen e tij në krye të komunës.
 
“Me ardhjen e udhëheqësisë së re ne kemi thënë dhe ajo ndodhi, nuk ka asgjë nga projekti 2014. Kanë mbetur vetëm tre përmendoret të cilat qëllimisht ishin harruar, të cilat u dedikohen figurave të historisë së shqiptarëve të Maqedonisë, megjithatë procedura është në rrjedhë e sipër dhe kur të vijnë përmendoret, kur të vendosen themelet do të informohen qytetarët”- deklaroi kryetari i Komunës Qendër, Andrej Zhernovski.
 
Zhernovski tha se në kuadër të kompetencave që ka, edhe gjatë vitit 2016 Komuna Qendër do të vazhdojë me zbatimin e projekteve.
 
Në pyetjen e gazetarëve nëse do të rrënojë tarracat e godinës së VMRO-DPME-së, ai tha se Komuna Qendër ka miratuar një vendim të tillë dhe pritet zbatimi i tij, por pa dhënë detaje se kur do të ndodhë një gjë e tillë.
 
NAIM RAMADANI