Botë

KE, hetim ligjeve të Polonisë për gjykatat dhe mediat

13.01.2016 22:00

Komisioni Evropian ka hapur një hetim të papreçedentë ndaj një vendi anëtar...

Bëhet fjalë për Poloninë, për të cilën Brukseli dyshon se ligjet e reja të miratuara nga ky vend shkel rregullat demokratike të BE-së.
 
Zv.presidenti Frans Timmermans njoftoi kryerjen e një “mbikëqyrjeje paraprake” në bazë të “mekanizmit ligjor të rregullave” të Unionit. 
 
Hetimi ka të bëjë me ndryshimet që qeveria polake e krahut të djathtë ka bërë në ligjet për Gjykatën Kushtetuese dhe mediat. 
 
Mekanizimi i BE-së i lejon Komisionit që të ushtrojë presion ndaj një vendi anëtar për të ndryshuar çdo masë që konsiderohet një “kërcënim sistematik” ndaj vlerave themelore të BE-së. 
 
Ky hap i Brukselit vjen pasi presidenti Andrzej Duda aprovoi ligjet e kontestueshme që i lejojnë partisë konservatore për Ligj dhe Drejtësi të caktojë krerët e televizionit dhe radios publike, si dhe të zgjedhë gjyqtarët për Gjykatën Kushtetuese të Polonisë. 
 
Duke iu drejtuar parlamentit polak të mërkurën, kryeministrja Beata Szydlo mohoi akuzat që qeveria e saj të ketë shkelur normat demokratike. 
 
“Demokracia në Poloni është shëndosh e mirë”, theksoi ajo, duke shtuar se qeveria po vazhdon realizimin e një programi të mbështetur nga polakët në zgjedhjet e përgjithshme të tetorit, që sollën në pushtet partinë për Ligj dhe Drejtësi./Top Channel