Xhakarta goditet nga një sulm terrorist, 7 viktima nga shpërthimet dhe përleshjet me armë
Sulmet e mëngjesit të sotëm të cilët e tronditën kryeqytetin e Indonezisë Xhakartën, i ka marrë përsipër Shteti Islamik raportoi një agjenci lajmesh e lidhur me grupin militant...

Gjithashtu, sipas burimeve policore po për këto sulme të cilat I u morën jetën 7 personave dyshohet një grup lokal i lidhur me ISIS. Presidenti indonezian i cilësoi ndërkohë atentatet si një “akt terrori”. Presidenti Joko Widodo bëri thirrje për qetësi, ndërsa e dënoi me forcë atë që e quajti një akt të pastër terrori.
“Mbajmë të gjithë zi për viktimat e kësaj ngjarjeje, por gjithashtu dënojmë aktin që ka cënuar sigurinë e paqen dhe ka përhapur terror mes popullit tonë” – tha Presidenti i Indonezisë, Joko Widodo.
Shpërthimet ndodhën përreth Rrugës Thamrin, një lagje ku ndodhen zyrat e shumë bizneseve dhe ambasadave të huaja, përfshirë ato të Kombeve të Bashkuara.
Në orët e fundit policia lokale ka deklaruar se situata është nën kontroll, ndërsa ka saktësuar se nga 7 personat e vrarë, 5 janë autorët e atentateve.
Dinamika e ngjarjeve është ende e paqartë, por ajo që dihet me siguri është se shpërthimet kishin në shënjestër një kafene të grupit amerikan Starbucks dhe një postobllok policie. Më pas rezulton se autorët hynë në ambjentet e Teatrit të Xhakartës, pjesë e kompleksit ku ndodhet dhe Starbucks.
Agjentë të armatosur, snajpera dhe autoblinda u vendosën menjëherë në rrugët e kryeqytetit.
Një shkëmbim i dhunshëm zjarri shpërtheu menjëherë më pas, që zgjati disa orë dhe që çoi në vrasjen e 5 atentatorëve. Ndryshe 150 deri në 200 indonezianë mendohet të kenë shkuar vitet e fundit në Siri për të luftuar në krah të militantëve të Shtetit Islamik. (Leunora Kaliqi, TVM2)
