DORËHEQJA E GRUEVSKIT

Dorëheqja e Gruevskit, Hyseni: Sinjal për mbajtjen e zgjedhjeve

14.01.2016 16:05

Ardhja e eurokomesarit Johanes Hahn nesër në Shkup do të konfirmojë mbajtjen e zgjedhjeve të 24 prillit, vlerëson analisti Blerim Hyseni...

Edhe informacioni se kryeministri Nikolla Gruevski ka ofruar dorëheqjen, sipas Hysenit paraqet sinjal se zgjedhjet e parakohshme do të mbahen ashtu siç është paraparë në marrëveshjen e Përzhinës.

“Me vizitën e Hahn në Maqedoni do të sqarohen dhe do të definohen çështjet për të cilat kanë mbetur pezull nga Marrëveshja e Përzhinës siç është edhe kërkesa e partisë opozitare maqedonase për shtyrjen e zgjedhjeve. Unë mendoj se kjo çështje nesër do të definohet. Mendoj se nuk do të arrihet kjo kërkesë e opozitës maqedonase që ti shtyjë zgjedhjet pasiqë po flitet dhe është deponuar dorëheqja e kryemnistrit, një ditë para ardhjes së tij. Mendoj se kjo vizitë do të jetë shumë e rëndësishme për proceset në Maqedoni” – tha analisti, Blerim Hyseni.

Përderisa opozita maqedonase preferon shtyrje të zgjedhjeve me arsyetimin e krijimit të kushteve, partitë në pushtet VMRO dhe BDI e konsiderojnë 24 prillin si pjesë të rëndësishme të marrëveshjes politike. Analisti Hyseni thotë se LSDM kërkon të prolongohen zgjedhjet për të përfituar kohë që të rrisë rejtingun partiak.

“Maqedonia do të humb edhe më shumë sikur të shtyhen data e zgjedhjeve përshkak se do të vazhdojë amullia e këtillë politike që vazhdon tanimë një vit dhe edhe 2016-ta do të kalojë në një eufori dhe amulli politike, do të mbahen zgjedhjet s’do të mbahen zgjedhjet, u pastrua lista zgjedhore s’u pastrua lista zgjedhore dhe çështje të tjera për të cilat opinioni veçmë është lodhur. Ndërkohë që vlersoj se opozita maqedonase për momentin nuk ka guxim të mjaftueshëm për të marrë pjesë në zgjedhje dhe dëshiron të gjejë alibi për shtyrjen e zgjedhjeve në mënyrë që të arrijë të rrisë rejtingun e saj politik“ – deklaroi analisti, Blerim Hyseni.

Vizita e nesërme e eurokomesarit Johanes Hahn në Maqedoni përputhet me datën kur parashikohej edhe formimi i qeverisë kalimtare, ndërkohë nëse konfirmohet dorëheqja e kryeminsitrit Nikolla Gruevski, ajo vjen pas 10 vitesh qeverisje. Ndërsa edhe kryeminsitri i ri i qeverisë kalimtare, deri në zgjedhjet e parakohëshme, pritet të emrohet me propozim të VMRO- DPMNE-së. (Meral Ismaili, TVM2)