Maqedoni

Dita e fundit për dorëheqjen e Gruevskit, Han: 15 janari është dita kyçe për Maqedoninë

14.01.2016 17:52

Kryeministrit Nikolla Gruevski i mbetet vetëm edhe një ditë për t’u tërhequr nga ky post...

Kryeministrit Nikolla Gruevski i mbetet vetëm edhe një ditë për t’u tërhequr nga ky post, konformë marrëveshjes politike të dy qershorit, e cila parasheh formimin e qeverisë kalimtare më 15 janar. 
 
Edhepse deponimi i dorëheqjes në Kuvend pritej të ndodh sot, një gjë e tillë nuk ndodhi. Veç kësaj ende mbetet enigmë se kush do të jetë pasuesi i Gruevskit, i cili konformë kësaj marrëveshje duhet të jetë nga rradhët e VMRO DPMNE-së, gjithashtu.
 
“15 janari është data kyçe e Marrëveshjes politike, zbatimi i së cilës është me rëndësi për qeverinë dhe qytetarët e Maqedomnisë.” – thotë eurokomisari Han në deklaratën e tij me shkrim, në prag të vizitës që duhet të zhvillojë në Shkup ditën e premte.
 
 Komisioneri Johanes Han do të inspektojë realizimin e Marrëveshjes si dhe respektimin e afateve të parapara me këtë marrëveshje. 
 
“Pres që elementet e rëndësishme të marrëveshjes politike do të zgjidhen përpara ose gjatë vizitës sime, duke u lejuar organeve zgjedhore organizim të zgjedhjeve të besueshme, sipas datës së parashikuar dhe të dakorduar”, thotë Han.
 
Edhe ndërmjetësi në bisedimet Piter Van Hojt shprehet i bindur se kryeministri Nikolla Gruevski do të dorëhiqet nesër.
 
“Nuk kam dyshim se ai do të respektojë premtimin dhe Marrëveshjen e Përzhinës. Nëse shfaqet ndonjë problem ne do të përpiqemi ta kapërcejmë atë, por nuk kam dyshim se ai do të përmbush premtimin”, tha Piter Van Hojt, ndërmjetësues.  
 
Në ndërkohë grupi punues vazhdoi bisedimet rreth çështjeve të hapura për mediat dhe metodologjinë për pastrim të Listës zgjedhore.
 
SHPËTIM NUREDINI