Terrori në Indonezi, identifikohen 4 nga autorët
Policia indoneziane ka identifikuar katër nga sulmuesit në Xhakarta, dy prej të cilëve rezultojnë militantë të dënuar më parë. Autoritetet dhanë emrin e njërit prej personave në fjalë...

Pamjet filmike e Afif Sunakimin me një çantë shpine dhe armë në dorë gjatë orëve të dhunës që terrorizuan kryeqytetin e Indonezisë. Ai ishte dënuar me shtatë vjet heqje lirie për stërvitje në një kamp militantësh.
Që të pestë agresorët e njohur tashmë për autoritetet vdiqën gjatë sulmeve të organizuara të së enjtes, ku humbën jetën dhe dy civilë, njëri nga të cilët shtetas kanadez. Përgjegjësinë e ngjarjes së rëndë e mori përsipër Shteti Islamik.
Tre arrestime u kryen sot, por nuk është e qartë se çfarë lidhje kanë të ndaluarit me shpërthimet e një dite më parë. Agjencia e Lajmeve Aamaq e lidhur me Isis-in tha se sulmet e koordinuara kishin si objektiv shtetasit e huaj dhe forcat e sigurisë që kanë për detyrë t’i mbrojnë ata.
150 deri në 200 indonezianë mendohet të kenë shkuar vitet e fundit në Siri për të luftuar në krah të militantëve të Shtetit Islamik. Një pjesë e tyre janë kthyer mbrapsht e autoritetet e kishin dyshuar me kohë se mund të përgatisnin sulme brenda kufijve. (Gazmend Rexhepi, TVM2)
