Botë
Guatemalë, betohet komediani president Xhimi Morales
15.01.2016 19:31
Ish komediani Xhimi Morales u betua si president i ri i Guatemalës. Ai u zgjodh tetorin e shkuar...

Ish komediani Xhimi Morales u betua si president i ri i Guatemalës. Ai u zgjodh tetorin e shkuar, pas demonstratave masive anti korrupsion që rezultuan me gjykimin e një ish presidenti dhe zëvendëspresidenti.
Morales nuk ka eksperiencë në politikë, por në fjalimin e tij pas betimit ai u zotua se do të luftojë korrupsionin. Në ceremoninë e betimit të tij ishte i pranishëm zv.presidenti amerikan Xho Bajden, dhe kjo shënoi herën e parë pas 30 vjetësh që një zyrtar amerikan mes pjesë në një eveniment të tillë në Guatemala. Në fjalimin e tij që preku shumë çështje, Morales përgëzoi lëvizjen antikorrupsion dhe tha se Guatemala ka nisur rilindjen e saj.
Ai gjithashtu premtoi fonde për arsimin në mënyrë që fëmijët e vendit të përgatiten për sfidat që i presin. Por kritikët e Morales thonë se ai, pavarësisht premtimeve, nuk dha detaje se si do të luftojë korrupsionin, nivelin e lartë të dhunës, varfërinë dhe pabarazinë sociale në vend. Javën e shkuar, në Guatamela nisi procesi gjyqësor kundër një ish ndihmësi të Morales që dyshohet për shkelje të të drejtave të njeriut gjatë konfliktit të gjatë në vend që përfundoi në 1996.
14 ish oficerë të ushtrisë, shumë prej të cilëve mbështetës së partisë të Xhimi Morales, u arrestuan me akuza të ngjashme. Vetë presidenti Morales ka mohuar çdo lidhje me ish oficerët e ushtrisë, ndërsa këmbëngul se ardhja e tij në pushtet është një fillim i ri për vendin. /Top Channel
