Maqedoni
Kërçovë: Homazhe për të rënën e lirisë
16.01.2016 17:39
Homazhe për të rënën e lirisë Jusuf e Bardhosh Gërvalla dhe Kadri Zeka, Beqir Limani dhe Ruzhdi Veliu...

Në organizim të SHVL-UÇK-së në fshatin Kollarë të Kërçovës u bënë homazhe për martirët e kombit Jusuf e Bardhosh Gërvalla dhe Kadri Zekës si dhe u nderuan veprimtarët e devotshëm Beqir Limani dhe Ruzhdi Veliu.
Te pllaka përkujtimore e ngritur për lajmëtarët e lirisë, në varrezat e fshatit Kollarë, sot u bënë homazhe për Jusufin, Bardhoshin dhe Kadriun , për dëshmorët që dhanë mesazhin e sakrificës për idealet kombëtare.
Jusufi, Bardhoshi e Kadriu me veprimtarinë e tyre të bujshme dhanë porosinë e ngadhnjimit ndaj armikut shekullor, tha kryetari i SHVL-UÇK-së Fazli Veliu.
Në shenjë nderimi për veprimtarinë e tyre dinjitoze, lule të freskëta u vendosën edhe tek varri i dëshmorit të kombit Beqir Limani i cili e kreu detyrën e atdheut dhe gjithë jetën ia kushtoi çlirimit dhe bashkimit të popullit shqipëtar.
Me veprimtarinë e tij përkushtuese deri në Flijim, Beqir Limani dha mesazhin e devotshmërisë për misionin dhe detyrat që atij i jepeshin, në përmbushjen amanetit për çlirimin e trojeve shqiptare, potencoi Bardhyl Llagami, babai i dëshmorit të kombit Skerdilajd Llagami.
Më pas lule të freskëta u vendosën edhe tek varri i veprimtarit Ruzhdi Veliut, i cili qysh në moshë të re iu bashkua Lëvizjes popullore dhe kreu detyrat dhe obligimet për furnizimin me armatim në fazën e përgaditjeve për luftërat që do të pasonin, tha ndër të tjera veprimtari Fatmir Limani.
SHABAN DALIPI
