Maqedoni
Vazhdojnë fërkimet për datën e zgjedhjeve
17.01.2016 18:04
Data e zgjedhjeve ka përplasur sërish partitë politike. Sipas VMRO DPMNE-së në pushtet, ekzistojnë kushte që më 24 prill të mbahen zgjedhje të lira dhe demokratike...

Partia e Gruevskit madje thotë se edhe vet Komisioni Shtetëror Zgjedhor ka konfirmuar se mund t’i organizojë zgjedhjet e prillit, por procesin po e minon opozita.
“LSDM në nëntor i votoi ndryshimet në Kodin Zgjedhor, ku 24 prilli miratohet si datë. LSDM për shkak të njohurive se nuk ka mbështetjen e qytetarëve dëshiron ta prolongojë krizën” thuhet në reagimin e VMRO-së.
Ndërkaq, LSDM insiston në zbatimin e të gjitha parakushteve në harmoni me Marrëveshjen e Përzhinës, me qëllim që qytetarët të mund të shprehin vullnetin e tyre lirshëm.
“Për LSDM nuk janë të pranueshme zgjedhje pa media të lira dhe pa pastrimin e Listës zgjedhore dhe në zgjedhje të tilla nuk do të marrë pjesë” – thuhet në kumtesën e LSDM-së.
Ndërkaq, kreu i Opsionit Qytetar për Maqedoninë, Stevço Jakimovski, kërkoi nga kryeministri në dorëheqje Nikolla Gruevski dhe liderit të BDI-së, Ali Ahmeti që të vendosin nëse zgjedhjet do të mbahen me 24 prill të këtij viti ose do të mbetet të mbahen zgjedhjet e rregullta në prill të vitit 2018.
“E keni shumicën në Parlament dhe merni vendim me të cilin do të dalim nga kjo situatë skizofrene. Ose zgjedhje me 24 prill ose shtyrjen e zgjedhjeve ashtu si kërkon Zoran Zaev, por në prill të vitit 2018”, shprehet kryetar i Opsionit Qytetar për Maqedoninë, Stevço Jakimovski.
Jakimovski madje kërkoi shfuqizimin e Marrëveshjes së Përzhinos dhe tërheqjen e ministrave të LSDM-së.
Qëndrim të kundërt ka Partia Liber Demokratike e cila vlerëson se Marrëveshja e Përzhinës duhet zbatuar dhe se pezullimi i zgjedhjeve është i patjetërsueshëm. Sipas kësaj partie data më e përshtatshme për zgjedhje është fillimi i qershorit.
SHPËTIM NUREDINI
