Botë

Evropa përfshihet nga moti i keq, një viktimë në Britani, Rumania mbyll shkollat

18.01.2016 11:58

Reshjet e dendura të dëborës dhe temperaturat e ulëta kanë përfshirë tashmë një pjesë të madhe të Evropës...

Situata më e rënduar paraqitet në Britaninë e Madhe, ku një vajzë 15 vjeçare humbi jetën pasi një dallgë gjigante e përplasi në det.
 
Temperaturat e ulëta dhe mosmarrja e ndihmës së shpejtë në momentin e duhur, bënë që ky incident të kishte një fund tragjik. Në shumë zona të vendit reshjet e dëborës kanë bllokuar qarkullimin, ndërkohë që qeveria ka kërkuar që qytetarët të tregohen të kujdesshëm. 
 
Në Rumani janë bllokuar  rrugët, janë mbyllur shkollat, portet dhe 20 trena pezulluan aktivitetin e tyre. Autoritetet njoftuan se në disa zona pati edhe ndërprerje të energjisë. Për të menaxhuar situatën, Ministria e Brendshme ka angazhuar plot 6.000 oficerë, borëpastrues dhe zjarrfikës. 
 
Në Bullgari termometri shënoi -10 gradë celsius, ndërkohë që reshjet e dëborës arritën deri në 38 centimetër në disa rajone të vendit.
 
Edhe këtu autoritetet kanë bërë thirrje që qytetarët të evitojnë daljet e shpeshta nga shtëpia, si dhe të bëjnë kujdes gjatë lëvizjeve të tyre. 
 
Në Evropën Perëndimore shumë kompani fluturimesh kanë anuluar fluturimet e tyre, ndërkohë që edhe në Turqi ka pasur probleme të njëjta. Vetëm Kompania “Turkish Airlines” anuloi 246 fluturime. Ngrica dhe reshjet e dëborës kanë prekur edhe vende të tjera të botës.
 
Në Tokio të Japonisë pati mjaft vonesa në sistemin e metrove, ndërkohë që transporti urban ishte i mbipopulluar. Më shumë se 117 persona u detyruan që të shkojnë në spital për shkak të rrëshqitjeve apo rrëzimin si pasojë e ngricave. Në disa zona, qarkullimi i automjeteve është ndërprerë.
 
ERSAN PAJAZITI