Botë
Irak, konfirmohet zhdukja e tre amerikanëve
18.01.2016 12:18
Zyrtarët amerikanë kanë konfirmuar zhdukjen e tre amerikanëve në Bagdad pas raportimit të mediave irakiane për rrëmbimin e tyre...

Zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, John Kirby, tha se autoritetet amerikane “janë duke punuar së bashku me autoritetet irakiane për gjetjen dhe shpëtimin e tyre”. Zyrtarët amerikanë nuk i kanë identifikuar amerikanët e zhdukur dhe as se çfarë po bënin ata në Irak.
Raportet e mediave irakiane thonë se ata janë zhdukur më 15 ose 16 janar. Një zyrtar i inteligjencës irakiane i ka thënë agjencisë “Associated Press” se tre amerikanë janë rrëmbyer së bashku me përkthyesin e tyre irakian në lagjen jugore të Bagdadit, Dora.
Një kolonel i Policisë irakiane, duke folur në kushte anonimiteti, i ka thënë agjencisë së lajmeve AFP, se sipas informacioneve që po posedojnë, tre amerikanë dhe një përkthyes irakian janë rrëmbyer nga persona që ishin të veshur me uniformë të milicisë ushtarake. Forcat paraushtarake, e dominuar nga milicia shiite që e kanë mbështetjen e Iranit, e kanë ndihmuar Irakun në luftën ndaj “Shtetit Islamik”.
Por, ata kanë qenë të akuzuar edhe për abuzime, duke përfshirë ekzekutimet dhe rrëmbimet.
