Basketboll

Spurs kërcënojnë Golden State, Lakers tjetër “KO”

18.01.2016 14:56

San Antonio Spurs i afrohet gjithnjë e më shumë Golden State në krye të renditjes në Konferencën e Perëndimit, pas fitores 112-83 arritur dje ndaj Dallas...

Derbi teksan u dominua nga Spurs, që korrën fitoren e 36-të sezonale (6 humbje). Më i miri në fushë ishte Aldridge, autor i 23 pikëve.
 
Houston rikthehet te fitorja, pas triumfit 112-95 ndaj Lakers, duke shpresuar ende për një vend në play off në Perëndim. Harden me 31 pikë ishte lider në fushë për teksanët, një ndeshje pa shumë histori.
 
Sfidë interesante ajo që nxori fituese Indianën, që mundi 129-126 Denver, një mbrëmje spektakli, mes dy ekipesh që luajtën hapur deri në fund. Fitorja erdhi nga duart e Foye, që realizoi 3-pikëshin e fitores në sekondat e fundit.
 
Turner me 25 pikë e Ellis me 24 bënë diferencën në fushë, ndërsa 23 pikët e Gallinarit mbetën për statistikë. Oklahoma mposhti 99-74 Miamin dhe ruan ritmin e pretendentëve në Perëndim, sfidë ku Westbrook realizoi 13 pikë, 10 rebaund e 15 asist. Mirë u paraqit edhe Durant me 24 pikë e 10 rebaund.