Maqedoni

Johanes Hahn: Përmbajuni “Përzhinës”, caktoni datë për zgjedhjet

18.01.2016 15:17

Eurokomisari, Johanes Han, porositi partitë politike në Maqedoni t’i përmbahen në tërësi të gjitha obligimeve që liderët e tyre kanë marrë me nënshkrimin e Marrëveshjes së Përzhinës...

Mosarritja e një marrëveshjeje të re të premten në Shkup, si rezultat mosrespektimin e njërës nga pikat më të rëndësishme të marrëveshjes së Përzhinës, solli mbajtjen e zgjedhjeve më 24 prill, për të cilat tashmë janë tejkaluar të gjitha afatet.
 
Hahn ripërsëriti se me rëndësi është që zgjedhjet të mbahen e që ato t’i plotësojnë të gjitha kriteret e të përfundojnë me rezultat të pranueshëm nga të gjitha partitë dhe jo data se kur ato do të zhvillohen.
 
Hahn konfirmoi se 5 qershori është një datë e cila është diskutuar nga liderët të premten. Hahn thotë se numri i shtuar i vëzhguesve të OSBE-ODIHR është garanci për angazhimin ndërkombëtar që zgjedhjet të jenë të suksesshme dhe të përmbushin standardet.
 
"Është e rëndësishme të ketë zgjedhje sipas standardeve tona, me qëllim që të kthehet kredibiliteti i vendit. Kjo është e rëndësishme edhe për hapin e ardhshëm, të binden vendet tona anëtare që të fillojnë negociatat. Kjo do të jetë një mundësi e madhe, sepse gjithçka do të përgatitet mirë, në mënyrë korrekte dhe transparente, sipas standardeve demokratike ndërkombëtare. Kam bërë gjithçka për ta siguruar vëzhgimin e nevojshëm, ODIHR do të ketë  24 vëzhgues afatgjatë. Në Turqi ata kanë 30 vëzhgues të tillë dhe për një vend të vogël si i juaji, 24 vëzhgues janë shumë përfshirë edhe ata 300 që do të punojnë ditën e zgjedhjeve”- deklaroi eurokomisioneri për zgjerimin e BE-së, Johanes Hahn.
 
Hahn ka kërkuar nga partitë politike të ulen e të gjejnë kompromis edhe për çështjen tjetër të mbetur pezull, atë të mediave. Maqedonia ka edhe shumë çështje të tjera me të cilat duhet të përballet, ka theksuar Hahn, duke u ndalur në krizën e refugjatëve, situatën ekonomike etj.
 
Pikërisht për të ecur përpara edhe me zgjidhjen e çështjeve të tjera, po kaq të rëndësishme për vendin sa është edhe kriza politike, Hahn porositi forcat më të mëdha politike në vend që të ulen e të vendosin për datën e mbajtjes së zgjedhjeve, me qëllim që të hapin rrugën për funksionimin normal të shtetit.
 
NAIM RAMADANI