Botë

Reforma në drejtësi, Basha: Jo koalicion me LSI-në, përshëndesim vendimin

18.01.2016 17:01

Teksa ka mbetur edhe një vit deri në zgjedhjet parlamentare në Shqipëri, Partia Demokratike në opozitë përjashton çdo mundësi për koalicion me Lëvizjen Socialiste për Integrim...

Lulzim Basha, kryetar i opozitës, vlerësoi kritikat e kësaj force politike ndaj draftit socialist, por tha se asgjë nuk e bashkon me LSI-në.
 
“Ne përshëndesim këtë qëndrim të LSI-së. Do të donim që edhe PS të vijë sa më shpejt tek i njëjti qëndrim, si një rrugëzgjidhje e vetme për t’i hapur rrugë reformës. Të përqafojmë konsensusin siç bëmë me dekriminalizimin”- deklaroi kryetari i PD-së, Lulzim Basha.
 
Basha tha se PD po përgatitet për zgjedhje, e përballja është e qartë kundër dyshes së koalicionit qeveritar, PS-LSI.
 
“Sa i takon zgjedhjeve, PD është përgatitur dhe po përgatitet, do të konkurrojë përballë dyshes Rama-Meta në aleancën më të gjerë të mundshme me elektoratin shqiptar, me partitë politikë dhe faktorët e opozitarizmit pa përjashtim. Rama-Meta janë qeveria, ne jemi opozita. Ata janë oligarkia, ne jemi demokracia. Ata janë dështimi, ne jemi alternativa. Ata janë fundi i kazanit të transicionit, ne jemi demokracia e re normale e vlerave evropiane”- tha Basha.
 
Gjatë ditëve të fundit, është vënë re një përçarje e lehtë në koalicionin qeverisës PS-LSI, madje asnjëri prej liderëve të këtyre dy partive nuk e ka mohuar një gjë të tillë. Këto përplasje dolën në pah, pasi ato dolën me dy propozime të ndryshme për reformën në drejtësi.
 
LULJETA NDOKA