Maqedoni
Jakupi kundërshton Çiçakovskin, KShZ: Gati për zgjedhje nëse pranohet metodologjia jonë
18.01.2016 17:20
KShZ mund të jetë gati për zgjedhjet e 24 prillit në rast se partitë politike pranojnë metodologjinë e propozuar nga KShZ...

KShZ mund të jetë gati për zgjedhjet e 24 prillit në rast se partitë politike pranojnë metodologjinë e propozuar nga KShZ që pastrimi i listave zgjedhore të bëhet me kryqëzimin e informacioneve të MPB-së, me të dhënat e institucioneve të tjera relevante si Fondi Shëndetësor, Fondi Pensional apo Enti për Punësim.
Vlerësimi i tillë vjen nga anëtari i KShZ-së, Subhi Jakupi, një ditë pas prononcimit të kreut të tij, Aleksandër Çiçakovski, se më 24 prill mund të kemi vetëm zgjedhje teknike. Jakupi thotë se koha është e mjaftueshme për pastrimin e listave zgjedhore në rast se punohet sipas kësaj metodologjie, e cila në rast të evidentimit të të dhënave të dyshimta për votues fiktiv parashikon daljen në teren dhe kryerjen e kontrolleve.
“Nëse të njëjtët japin pëlqim, partitë politike, metodologjisë, ne si KShZ, së bashku me institucionet tjera, përfaqësuesit e partive politike, që do të jenë të involvuar në proces për pastrimin e listës dhe njëkohësisht është involvuar me potencialin kadrovik dhe ekipor në çështjen e IT sektorit për të cilin do të na ndihmojë shumë dhe unë mendoj se ne si Komision Shtetëror Zgjedhor do të bëjmë më të mundshmen e mirë që zgjedhjet të mbahen më 24 prill”- deklaroi anëtari i KShZ-së, Subhi Jakupi.
Bashkimi Demokratik për Integrim dhe VMRO-DPMNE, ndërkohë, pranojnë metodologjinë e propozuar dhe të përgatitur nga Komisioni Shtetëror Zgjedhor për pastrimin e listës zgjedhore.
BDI këtë e konsideron si një hap në funksion të tejkalimit të të gjitha pengesave të mundshme për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor dhe fton të gjitha palët që të japin kontributin e tyre për ta përmbyllur këtë proces kaq të rëndësishëm për vendin. LSDM disa herë ka përsëritur qëndrimin që pastrimi i listave zgjedhore të kryhet derë më derë.
Anëtari i KShZ-së, Subhi Jakupi, thotë se kërkesat e partive mund të jenë joreale, por e rëndësishme është të veprohet sipas metodologjisë më të mirë për të arritur listën e besueshme.
“Unë mendoj se e kemi zgjedhur metodologjinë më të mirë të mundshme, duke konsultuar edhe ekspertë ndërkombëtarë, duke konsultuar ekspertë të vendit dhe unë mendoj se hartimi i metodologjisë të cilën KShZ bëri është më e mirë e mundshme që tash për tash të dalim nga ky ngërç politik, qoftë profesional, që ne të kemi listë zgjedhore të besueshme dhe kredibile.”- theksoi anëtari i KShZ-së, Subhi Jakupi.
Kreu i KShZ-së, Aleksandar Çiçakovski, një ditë më parë njoftoi Grupin Punues se Komisioni që ai drejton nuk është i gatshëm për zgjedhje kredibile me listë zgjedhore tërësisht të pastruar. Për t’u arritur ky qëllim, sipas Çaçakovskit, KShZ-së i nevojiten së paku 3 deri në 4 muaj. Sipas Jakupit, kjo është vetëm një deklaratë individuale e kryetarit të KShZ-së pa u konsultuar me anëtarësinë.
MERAL ISMAILI
