Maqedoni
Kriza politike, Hysa takon Ahmetin dhe Thaçin, Ahmeti: Zgjedhjet përfundimisht më 24 prill
18.01.2016 17:31
Ambasadori i Kosovës, Ylber Hysa, ka takuar sot liderët e partive politike shqiptare, atë të BDI-së, Ali Ahmetin, dhe atë të PDSh-së, Menduh Thaçin, si dhe atë të LSDM-së, Zoran Zaev...

Temë qendrore e diskutimit ka qenë kriza politike dhe përpjekjet që po bëhen nga ata për tejkalimin e krizës pas dështimit të arritjes së një marrëveshjeje mes liderëve për respektimin e datës së mbajtjes së zgjedhjeve më 24 prill, siç u dakorduan liderët paraprakisht në Përzhinë.
Lideri i BDI-së këmbëngul që zgjedhjet të mbahen më 24 prill, ashtu siç vetë liderët janë dakorduar paraprakisht me ndërmjetësimin e komunitetit ndërkombëtar.
“Jemi në një kohë interesante kur edhe priten zgjidhje interesante. Kisha kënaqësinë të dëgjoj z. Ahmetin të më informojë rreth bisedimeve që po zhvillohen këtu dhe në të njëjtën kohë ta informoj edhe për situatën në Kosovë”- deklaroi ambasadori i R. së Kosovës në Maqedoni, Ylber Hysa.
“BDI ka punuar, është angazhuar që sa më parë kriza në vend të tejkalohet dhe me këtë vazhdë kemi punuar edhe pas largimit të z. Hahn. Me qëllimin më të mirë i kemi shpjeguar të gjitha opsionet dhe qëllimet që kriza sa më parë të marrë fund dhe e vetmja zgjidhje që i jep fund krizës është organizimi i zgjedhjeve të parakohshme, e ato të bëhen më 24 prill 2016. Kjo datë është vendosur në qershor e korrik të vitit që lamë pas dhe ne kemi insistuar që kjo marrëveshje të mos cenohet. Të respektohet nga të gjitha palët nënshkruese dhe ende mendojmë se ka hapësirë që të gjithë ata që mendojnë që nuk është datë e qëlluar të reflektojnë rreth datës që është arritur në takimin e liderëve dhe me komunitetin ndërkombëtar”- tha kryetar i BDI-së, Ali Ahmeti.
Sa i përket paralajmërimeve të opozitës maqedonase për bojkotimin e zgjedhjeve, Ahmeti dha këtë përgjigje:
“Opozita maqedonase nuk duhet ta përjashtojë veten, por duhet të jetë pjesë e procesit pjesë e respektimit të dakordimit dhe të respektimit të marrëveshjeve të arritura”- theksoi Ahmeti.
Ambasadori Hysa ka marrë edhe mendimin e kreut të PDSh-së, Menduh Thaçit, për tejkalimin e situatës së fundit të krijuar. Thaçi, ndërkohë, ka pritur sot në selinë partiake edhe ambasadorin e Bullgarisë, Ivan Petkov. Nga PDSh njoftojnë se takimet e tilla me përfaqësues diplomatikë të akredituar në vend do të ketë edhe në ditët në vazhdim.
GAZMEND KURTISHI
