Kriza e refugjatëve, shtetet e BE-së rikonsiderojnë Shengenin
Nëse Austria dhe Gjermania vendosin të kufizojnë vërtet numrin e emigrantëve të pranuar, Sllovenia është e gatshme të adoptojë masa të ngjashme, përfshirë pezullimin e Shengenit dhe rivendosjen e kontrollit të pasaportave në kufijtë e saj...

Deklarata e qeverisë në Ljubjanë erdhi pas vendimit të kancelarit austriak për rikthimin e kontrolleve në kufijtë e vendit të tij e pezullimin e përkohshëm të lëvizjes së lirë. Kur vendimi i Austrisë të hyjë në fuqi, Sllovenia do të bëjë të njëjtën gjë me qëllim frenimin e fluksit të emigrantëve nga Kroacia fqinje.
“Në rastin kur interesat tona kombëtare vihen në rrezik për shkak të veprimeve të njëanshme të shteteve të tjera, jemi plotësisht të gatshëm të ndërmarrim hapa konkrete në kufi. Nëse Gjermania dhe Austria do të ndërmarrin masa strikte të kontrollit, sigurisht që edhe ne do të vendosim masa strikte në kufijtë tanë në jug të vendit”- deklaroi kryeministri i Sllovenisë, Miro Cerar.
Deklarata e Ljublanës nuk ishte e papritur marrë parasysh se vendi është rreshtuar që në fillim të krizës së refugjatëve në krah të vendeve që e shohin me skepticizëm politikën e dyerve të hapura për refugjatët, sidomos ata myslimanë.
Presidenti i KE-së, Jean Claude Juncker, paralajmëroi se fundi i Shengenit do të shkatërronte euron.
Kolapsi i lëvizjes së lirë në mesin e krizës së refugjatëve po rrezikon, sipas tij, tregun e përbashkët të bllokut, ndërsa pohoi se një zgjidhje afatgjate për ngërçin e emigrantëve BE-ja nuk e ka gjetur akoma.
Norvegjia, Suedia e Danimarka i kanë rikthyer tashmë kontrollet kufitare. Gjermania Franca e Malta dhe Italia po e mendojnë një gjë të tillë. (Gazmend Rexhepi, TVM2)
