Hanife Limani-Malaj, qytetare nderi e Komunës së Çairit
Me propozim të kryetarit të Çairit, Izet Mexhiti, Komuna e Çairit ka shpallur qytetare nderi Hanife Limani-Malaj, bashkëshorten e veprimtarit të njohur të çështjes kombëtare, Rexhep Malaj...

“Me 14 janar të vitit 2016 Këshilli i Komunës së Çairit në mbledhjen e 47 me radhë miratoi vendimin, përmes të cilit për promovimin e vlerave familjare, qëndresës dhe përkushtimit në vlerat universale, zonjën Hanife Limani-Malaj të shpallë qytetare nderi të Komunës së Çairit”- deklaroi kryesuesi i Këshillit Komunal të Çairit, Zahir Bekteshi.
Këtë çmim ua dedikoj të gjitha nënave, motrave dhe vëllezërve që sakrifikuan për liri, theksoi Hanife Limani-Malaj pasi zyrtarisht pranoi çmimin nga kryetari i Çairit, Izet Mexhiti.
“Ndjehem shumë e nderuar dhe e emocionuar në mesin e motrave dhe vëllezërve shqiptarë të Maqedonisë, njëherit edhe e emocionuar, duke ju kujtuar një kohë jo fort të afërt kur ne nga Kosova vinim për të vizituar në Maqedoni vëllezërit dhe motrat shqiptare në burgjet famkeqe të Idrizovës dhe Shtipit. Prandaj këtë çmim ua dedikoj të gjitha nënave, motrave dhe vëllezërve që sakrifikuan për lirinë”- deklaroi qytetarja e nderit e Çairit, Hanife Limani-Malaj.
Zonja Hanife ka qenë gjithmonë pranë bashkëshortit të saj në veprimtarinë patriotike, duke kontribuuar fuqishëm që të mbajnë lart flamurin e qëndresës dhe familjes, deklaroi me këtë rast kryetari i Çairit, Izet Mexhiti.
“Zonja Hanife ishte ajo që si të mirën ashtu edhe të keqen e ndau bashkë me Rexhepin, duke e mbajtur lart flamurin e qëndresës dhe familjes. Kjo grua, kjo nënë e sakrificës, e besnikërisë, tashmë është pjesë e historisë sonë kombëtare, sepse fuqishëm qëndroi prapa heroit tonë. Natyrisht, zonja Hanife është ndër femrat e rralla shqiptare që e ndjeu peshën e rëndë të sakrificës dhe dhembjes në rrugëtimin drejt lirisë…Zonja Hanife asnjëherë nuk u tremb para hordhive policore, të cilat jo njëherë bastisën shtëpinë e saj, duke përmbysur gjithçka që gjenin aty”- theksoi kryetari i Çairit, Izet Mexhiti.
Është me të vërtetë emocionuese të flasësh dhe përkujtosh veprimtarinë kombëtare të njeriut që nuk kurseu asgjë për lirinë e shqiptarëve, Rexhep Malaj, i cili bashkë me bashkëshorten e tij Hanifen edhe ai është qytetar nderi, theksoi lideri i BDI-së, Ali Ahmeti.
“Të jeni krenar si institucione, si këshill, si kryetar i Shkupit të vjetër që i ndahet ky çmim qytetare nderi Hanifes. Ky titull sot i takon edhe Rexhepit, pavarësisht që ai vuajti këtu nga torturat më çnjerëzore. Ai Shkupin e deshi dhe bashkë me Hanifen edhe ai është sot qytetar nderi, i këtij vendi që aq shumë e kishte në zemër. Pavarësisht se në Prishtinë u vra, derdhi gjakun, ai Prishtinën e deshi”- u shpreh kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti.
Rrugë e vetme për çlirim nga robëria është kryengritja e armatosur dhe lufta guerile, kishte deklaruar Rexhep Malaj, i cili për shkak të idealeve të tij për liri fillimisht u dënua me nëntë vite burg, të cilat i mbajti në burgjet e ndryshme jugosllave, e më pas në vitin 1984 u ekzekutua nga policia jugosllave në Prishtinë. (Gyltene Sinani, TVM2)
